Studimi i ri: Numri i grave psikopate është 5 herë më i lartë se mendohej

Studimi i ri: Numri i grave psikopate është 5 herë më i lartë se mendohej

Dr. Clive Boddy, ekspert në psikopatinë korporative pranë Universitetit Anglia Ruskin, argumenton se gratë me tipare psikopatike mund të jenë shumë më të përhapura sesa mendohej më parë, por mbeten “të padukshme” për shkak të paragjykimeve gjinore dhe mjeteve vlerësuese, të cilat janë hartuar kryesisht mbi bazën e profilit mashkullor.

Sipas tij, raportet e vjetra që flisnin për një raport 10 me 1 ndërmjet meshkujve dhe grave me tipare psikopatike mund të jenë tejkaluar. Në studimet e tij, të kryera me anë të Matjes së Vetë-Raportimit të Psikopatisë nga Levenson (LSRP), Boddy gjurmon tiparet themelore (psikopatia primare) që nuk përfshijnë sjellje antisociale agresive, por karakteristika si: manipulimi, mosndjeshmëria emocionale dhe egocentrizmi.

Rezultatet e tij tregojnë se raporti i psikopatisë ndërmjet gjinive mund të jetë afër 1.14 me 1, që do të thotë se gratë me tipare psikopatike mund të jenë më shumë se pesë herë më të shpeshta sesa mendohej më parë.

Ai thekson se gratë psikopate shfaqin sjellje më “të rafinuara” ose “të buta”: më pak dhunë fizike dhe më shumë manipulim emocional, gënjeshtra, agresion verbal dhe marrëdhënie grabitqare për të fituar pushtet, para apo pozicion social.

Boddy shton se testet tradicionale, si LSRP, janë të padrejta, sepse një pjesë e skemës mat sjellje antisociale dhe agresion fizik, aspekte që janë tipike për psikopatinë mashkullore, por jo për modelet “të buta” femërore.

Në hulumtimet e tij, rreth 1% e meshkujve kalojnë pragun klasik për psikopatinë klinike, por 23% e tyre kanë tipare që janë problematike për shoqërinë. Për më tepër, 12 deri në 13% e grave në mjediset e punës zyrtare shfaqin “mjaft tipare” për t’u bërë shqetësuese.

Sipas Boddy-t, ky realitet ka pasoja serioze për drejtësinë penale dhe për bizneset: nuk mund të supozojmë se gratë drejtuese janë automatikisht “më njerëzore apo më empatike”. Për këtë arsye, vlerësimi psikometrik në përzgjedhjen e udhëheqjes mund të jetë i domosdoshëm.

Boddy bëri thirrje për një rifokusim të diagnostikimit, duke sugjeruar që janë të nevojshme metoda që marrin parasysh shenjat e “psikopatisë femërore” në mënyrë më të drejtë dhe pa paragjykime lidhur me gjininë./Periskopi/

Shpërndaje në: