Prania “krye-në-vete” e Kurtit në Vatikan “dëmtoi” raportet me Selinë e Shenjtë

Prania “krye-në-vete” e Kurtit në Vatikan “dëmtoi” raportet me Selinë e Shenjtë

Ambasadori i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, ka njoftuar se Zyra e Kryeministrit nuk është koordinuar me misionin që ai e udhëheq në lidhje me ngjarjen e mbajtur në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Selinë e Shenjtë.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur misioni nuk është njoftuar zyrtarisht as për pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në koncertin e mbajtur të dielen nga Kori i Operës dhe Filharmonia e Kosovës, duke shkelur kështuar praktikën diplomatike.

“Misioni i Kosovës në Vatikan nuk është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në koncertin e mbrëmshëm dhe as nuk i është kërkuar të koordinojë komunikimin me autoritetet shtetërore të Vatikanit, pavarësisht se kjo, jo vetëm është praktikë diplomatike, por është kusht ‘sine qua-non’ në funksionimin shtetëror të një vendi”, ka deklaruar Miftari të hënën për shtypin në Prishtinë.

Miftari ka paralajmëruar se moskoordinimi i Zyrës së Kryeministrin mund të ketë pasoja serioze diplomatike. Ai ka theksuar se kjo mund t’i dëmtojë raportet me Selinë e Shenjtë, duke qenë se mungesa e misionit në këtë ngjarje mund të shihet si mohim i vetë autoritetit diplomatik të Kosovës nga ana e krerëve të shtetit të Kosovës.

“[…] mund t’ju siguroj se është bërë dëm në raportet tona me Selinë e Shenjtë, ngase mospërfshirja e misionit mund të interpretohet nga qarqe të caktuara – përfshirë misionin e Serbisë në Vatikan dhe skeptikët e tjerë – si mohim i misionit të Kosovës nga vetë krerët e shtetit të Kosovës”, ka shtuar mes tjerash Miftari.

Kosova ka ngritur misionin e saj të posaçëm në Vatikan në janar të vitit 2024, gjashtëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Megjithatë, akoma nuk ka ndonjë sinjal konkret për njohjen eventuale të Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Shpërndaje në: