Tentohet të futet narkotik e telefona në burgun e Dubravës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Korrektuese të Dubravës është parandaluar futja e sendeve të kundërligjshme, pas një bastisjeje të zhvilluar sot në zonën sterile të institucionit.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe Njësinë e Intervenimit Korrektues (NJIK), duke rezultuar i suksesshëm në zbulimin dhe ndalimin e tentimit për kontrabandë.
Gjatë kontrollit, zyrtarët korrektues kanë identifikuar tre pako që përmbanin sasi të dyshuara narkotike, si dhe disa pajisje të ndaluara: tre telefona celularë pa numra serik, dy iPhone, një Samsung, një Viko dhe dy adapterë telefoni.
Policia është njoftuar menjëherë dhe ka sekuestruar sendet e gjetura, ndërsa SHKK ka nisur procedurat hetimore për rastin.
Në njoftim thuhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në rritjen e nivelit të sigurisë dhe parandalimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë drejtim.



