Krasniqi kritikon Presidenten: Po ndërhyn haptazi në procesin zgjedhor
Albert Krasniqi, ka akuzuar Presidenten e vendit për ndërhyrje të hapur në zhvillimet politike dhe zgjedhore, duke e cilësuar këtë sjellje si cenim serioz të rendit kushtetues dhe të pavarësisë së institucioneve.
Sipas Krasniqit, Presidentja fillimisht ka ushtruar presion politik ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke cenuar parimet e pavarësisë së gjyqësorit.
Ai kujton se ky veprim shkaktoi pezullimin e nisjes së dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëmtuar besueshmërinë ndërkombëtare të institucioneve të Kosovës.
Krasniqi thekson se më pas Presidentja ka ndërhyrë edhe në proceset e brendshme të Kuvendit, përmes letrave që i kishte drejtuar Kryetarit të Kuvendit në lidhje me formimin e komisioneve parlamentare. Sipas tij, kjo praktikë e paprecedentë synonte mbështetjen e narrativave të partisë në pushtet dhe ndikimin politik përtej kompetencave kushtetuese të Presidentes.
Ai shton se tani Presidentja është angazhuar drejtpërdrejt në fushatë zgjedhore, duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Krasniqi e cilëson këtë si një “thirrje të kamufluar për pajtueshmëri kolektive për shkeljen e Kushtetutës”, me synim zhvendosjen e fajit nga përgjegjësit e krizës te ata që nuk pranuan ta legjitimonin atë.
Në fund, Krasniqi kërkon që Presidentja të përmbahet nga çdo lloj ndërhyrjeje zgjedhore dhe të fokusohet në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese gjatë muajve të mbetur të mandatit, duke theksuar se institucionet e shtetit “nuk janë instrumente të fushatës politike”./Periskopi/



