Një gotë verë me vakt, do të ju habisin përfitimet për shëndetin
Një zakon i thjeshtë që sjell përfitime të mëdha për shëndetin
Konsumimi i rregullt i një gote vere të kuqe gjatë vaktit mund të sjellë një sërë përfitimesh shëndetësore, përfshirë uljen e kolesterolit, zvogëlimin e tensionit të gjakut dhe reduktimin e rrezikut të diabetit, thonë ekspertët, mes tyre edhe i ndjeri dr. Michael Mosley. Para vdekjes së tij, Mosley drejtonte serialin në BBC Radio 4 “Just One Thing”, në të cilin eksploronte ndikimin e ndryshimeve të vogla të stilit të jetës në shëndet.
Gjatë programit, dr. Mosley theksoi se konsumimi i rregullt i verës së kuqe me vakt mund të ketë efekt pozitiv: “Në Izrael, në vitin 2015, shkencëtarët i ndanë 224 pacientë me diabet, të cilët nuk pinin alkool, në tre grupe – ata që pinin verë të kuqe, verë të bardhë ose ujë mineral gjatë darkës çdo mbrëmje për dy vjet. Konsumuesit e verës së kuqe treguan rezultatet më të mira, me përmirësime të dukshme në kolesterol dhe, ndoshta befasueshëm, edhe në cilësinë e gjumit”.
Por këto nuk ishin përfitimet e vetme. Disa njerëz që konsumonin verë të kuqe vunë re edhe kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak. Studiues të tjerë nga Spanja provuan se vera e kuqe mund të përmirësojë reagimin e trupit ndaj insulinës, gjë që ndihmon në largimin më të shpejtë të sheqerit nga gjaku, transmeton Telegrafi.
Konsumimi me vakt
Nëse doni të përfitoni maksimalisht, rekomandohet ta pini verën gjatë vakteve, me ekspertin që theksoi se kjo është “shumë më e favorshme sesa ta pini më vete”.
Një studim afatgjatë me 312.000 të rritur, që ndoqi konsumimin e verës me vakte për 11 vjet, tregoi se konsumimi i moderuar ul rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 me 14 për qind.
Profesori Tim Spector, epidemiolog nga King’s College London, shton se vera mund të ndikojë pozitivisht në mikrobiomin e zorrëve: “Zbuluam se konsumuesit e verës së kuqe kishin mikrobiom më të shëndetshëm dhe më të larmishëm sesa ata që nuk pinë. Në përgjithësi, konsumuesit e alkoolit kishin mikrobiom më të dobët sesa ata që nuk konsumojnë fare.”
Çelësi është moderimi
Ai shpjegoi se mikrobiomi i zorrëve është ndër aspektet e rralla të trupit të njeriut që nuk formësohet nga gjenetika, por nga faktorët e jashtëm dhe ushqimorë. Në fakt, provat sugjerojnë se “vera e kuqe, në sasi të vogla dhe të moderuara, mund të jetë e dobishme për sistemin tonë tretës”.
Profesori Spector paralajmëron se moderimi mbetet thelbësor: “Nuk po pretendojmë aspak se alkooli vetë është i mirë për ju”, tha ai, duke shtuar se përfitimet zhduken kur konsumohen më shumë se tre gota verë e kuqe në ditë.
Rekomandimi i ekspertëve është një gotë verë me vakt disa herë në javë, mundësisht në sasi të vogla: “Po flasim për gotat tradicionale franceze të verës, ku nga një shishe do të merrnit gjashtë gota”, përfundoi ai.



