Afrim Tovërlani largohet nga Kombëtarja U21, merr drejtimin e FC Prishtinës
Afrim Tovërlani ka njoftuar se ka përfunduar angazhimin e tij si trajner i Kombëtares U21 të Kosovës dhe nga sot do të vazhdojë karrierën e tij si trajner i FC Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, Tovërlani ka falënderuar Federatën e Futbollit të Kosovës, veçanërisht kryetarin Agim Ademi, për mirëkuptimin dhe mbështetjen që i është dhënë që të bashkohet me FC Prishtinën dhe të ndahet në mënyrë korrekte nga U21.
“Deri sot kam pasur nderin të jem trajner i Kombëtares U21 të Kosovës, ndërsa nga sot do të vazhdoj rrugëtimin tim si trajner i FC Prishtina. Falenderoj Federatën e Futbollit të Kosovës, në krye me Agim Ademin, për mirëkuptimin dhe mbështetjen që t’i bashkohem FC Prishtinës dhe të largohem në mënyrën më korrekte nga U21.”, ka shkruar Toverlani.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
Deri sot kam pasur nderin të jem trajner i Kombëtares U21 të Kosovës, ndërsa nga sot do të vazhdoj rrugëtimin tim si trajner i FC Prishtina.
Falenderoj Federatën e Futbollit të Kosovës, në krye me Agim Ademin, për mirëkuptimin dhe mbështetjen që t’i bashkohem FC Prishtinës dhe të largohem në mënyrën më korrekte nga U21.
Një falenderim i veçantë shkon për stafin teknik, stafin mjekësor, futbollistët dhe të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi. Ka qenë privilegj të punoj me njerëz të përkushtuar dhe profesionistë.
Vendimi im bazohet në dy arsye kryesore:
1.Kontrata ime me U21 skadonte në fund të dhjetorit.
2.Dëshira ime për të qenë më pranë profesionit tim të përditshëm.
Ekipin e lë në një gjendje shumë të mirë, me gjasa të mëdha për kualifikim në Evropianin 2027 dhe jam krenar për punën që kemi bërë së bashku. Të gjithë ata që kanë qenë pranë meje e dinë se gjithmonë kam punuar me nder, korrektësi dhe përkushtim.
Kurdo që Kombëtarja e Kosovës do ta ketë të nevojshëm kontributin tim, unë do të jem i gatshëm.
Me respekt,
Afrim Tovërlani.



