Drita – Shkëndija, sot luhet super ndeshja e klubeve shqiptare në Ligën e Konferencës
Sot (e enjte) është në program për t’u zhvilluar ndeshja e dy klubeve shqiptare, Dritës dhe Shkëndijës në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Gjilanasit janë nikoqir të tetovarëve në ndeshjen e xhiros së katërt e cila është paraparë të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë nga ora 21:00.
Ekipi i Zekirija Ramadanit është në një formë të mirë në kampionat, por e ka nisur mirë edhe në Ligën e Konferencës pasi ka dy barazime dhe një fitore nga tri ndeshjet e para.
Kështu, “Intelektualët” janë të gatshëm për këtë ndeshje dhe duan ta vazhdojnë serinë pozitive me një fitore ose së paku një barazim, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Në formë të mirë është edhe ekipi i Jeton Beqirit, pasi ka një barazim dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Konferencës, kështu që duan rezultat edhe nga ky udhëtim i vështirë.
Kjo ndeshje do të jetë interesante edhe për faktin se vjen një ditë para festës së flamurit, 28 nëntorit, dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë nga të gjitha trojet shqiptare, përveç dy qyteteve si Gjilani dhe Tetova./Periskopi/



