“Lavazhi i trurit në diasporë”: Deputeti në Zvicër tregon si po manipulohet komuniteti shqiptar në Zvicër nga VV
Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, duke thënë se komiteti i kësaj partie është i dominuar nga persona të politizuar brenda Partisë Socialiste dhe të Gjelbërve.
Sipas tij, ky rreth i mbyllur ka arritur ta getoizojë komunitetin e shqiptarëve nga Kosova brenda diskursit dhe propagandës së së majtës ekstreme, duke i orientuar drejt iniciativave që shërbejnë interesave të këtyre partive në Zvicër, e jo interesave reale të komunitetit.
“Pikërisht këto struktura i shtyjnë këta njerëz të angazhuar në këto parti të nisin iniciativa popullore për t’ua dhënë nënshtetësinë zvicerane pothuajse të gjithëve, automatikisht pas pesë vitesh qëndrimi, vetëm që në sferat e elitës politike, sociologjike dhe ekonomike imazhi i shqiptarëve nga Kosova të perceptohet si imazh i “idiotëve të dobishëm”. Dhe e gjithë kjo bëhet në partneritet të plotë me kupolën e LVV-së në Kosovë – të cilët e pranojnë vetëdijshëm këtë getoizim në të majtën zvicerane, sepse besojnë se kështu u shërben interesave të tyre politike në Kosovë”, shkroi mes tjerash Rashiti
Postimi i plotë:
Po ju tregoj të vërtetën. Në vitin 2023, gjatë fushatës për zgjedhjet në Këshillin Kombëtar të Konfederatës Zvicerane, isha kandidat i Partisë së Unionit Demokratik të Qendrës (SVP). Në atë kohë nuk kisha dhënë asnjë qëndrim publik për politikën e Kosovës. Megjithatë, u takova me disa aktivistë të LVV-së – jo pse shpresoja të fitoja vota në komunitetin shqiptar, por si një mundësi që atyre t’ua shpjegoja logjikën e një zgjedhjeje federale, e nga ana tjetër vetë të kuptoja mënyrën e tyre të të menduarit. E besoni apo jo, për ta fakti që një shqiptar me prejardhje garonte nën ngjyrat e SVP-së ishte gati i barabartë me atë që t’i binin vetes plumb në kokë.
Pikërisht aty e kuptova realisht çka do të thotë “lavazh truri”: pashë konkretisht pasojat e propagandës që për vite me radhë është derdhur mbi ta. Dhe kjo nuk ndalet te aktivistët e thjeshtë të LVV-së; ajo shtrihet deri në brendësi të vetë institucioneve që e përfaqësojnë Kosovën në Bernë. Aty e pashë nga afër “patriotizmin” e tyre – dhe aty kuptova se çfarë eksperimentesh dhe çfarë inxhinierie shoqërore janë bërë në kokat e tyre.
Edhe më problematike është se ata që janë në komitetin zviceran të LVV-së janë pothuajse të gjithë të politizuar brenda Partisë Socialiste ose të Gjelbërve; i njëjti rreth ka arritur ta getoizojë komunitetin e shqiptarëve nga Kosova brenda ideve, strukturave dhe propagandës së së majtës ekstreme në Zvicër. Pikërisht këto struktura i shtyjnë këta njerëz të angazhuar në këto parti të nisin iniciativa popullore për t’ua dhënë nënshtetësinë zvicerane pothuajse të gjithëve, automatikisht pas pesë vitesh qëndrimi, vetëm që në sferat e elitës politike, sociologjike dhe ekonomike imazhi i shqiptarëve nga Kosova të perceptohet si imazh i “idiotëve të dobishëm”. Dhe e gjithë kjo bëhet në partneritet të plotë me kupolën e LVV-së në Kosovë – të cilët e pranojnë vetëdijshëm këtë getoizim në të majtën zvicerane, sepse besojnë se kështu u shërben interesave të tyre politike në Kosovë.



