Veliaj para gjykatës: Dua drejtësi me standarde evropiane, jo procedura poshtëruese

Veliaj para gjykatës: Dua drejtësi me standarde evropiane, jo procedura poshtëruese

Në sallën e gjyqit, para trupës gjykuese dhe publikut të pakët të lejuar, Erion Veliaj mori fjalën ndryshe nga herët e tjera.

Ishte hera e parë që ai paraqitej fizikisht në këtë fazë të procesit në GJKKO dhe, siç tha vetë, jo për t’i dhënë spektakël askujt, por për të kërkuar atë që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë: një proces të drejtë.

Toni i tij ishte i qetë, por i prerë. Ai shpjegoi se mungesat e mëparshme nuk kishin qenë asnjëherë shenjë mosrespekti, por rezultat i një situate që ai e cilësoi “absurd tragjikomik”: “prej muajsh ndodhem në paraburgim, pa u njohur me asnjë faqe të dosjes që më ka sjellë deri këtu”.

Sipas tij, pritja e gjatë, vonesat procedurale dhe fshehja faktike e akteve krijonin panoramën e një paragjykimi të plotë, sikur vendimi ishte marrë përpara se të dëgjohej mbrojtja.

Por momenti që e ndryshoi krejt atmosferën në sallë ishte ai kur Veliaj foli për “kafazin metalik”.

Ai qëndronte brenda tij gjatë gjithë seancës – një strukturë e rëndë hekuri, që e ndante fizikisht nga avokatët, publiku dhe vetë gjykata.

Veliaj e quajti këtë trajtim një shkelje flagrante të dinjitetit njerëzor dhe të prezumimit të pafajësisë.

Sipas tij, kafazi është një mesazh vizual që e paraqet automatikisht të akuzuarin si të rrezikshëm, si dikë që meriton izolim të çastit, pavarësisht se nuk ka asnjë rrezikshmëri dhe pavarësisht se, siç kujtoi ai, në Gjykatën Kushtetuese ishte paraqitur pa asnjë mjet sigurie dhe pa asnjë incident.

Veliaj solli në vëmendje se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka cilësuar këtë praktikë, në disa raste, si trajtim degradues dhe në kundërshtim me standardet evropiane të drejtësisë.

“Dhe nëse Shqipëria synon Bashkimin Evropian”, tha ai, “atëherë drejtësia e vendit nuk mund të veprojë me metoda që Evropa i ka hedhur poshtë prej kohësh”.

Pjesa më e rëndë e fjalës ishte ajo që lidhej me dosjen. Ai tregoi se gjendet në paraburgim prej rreth 300 ditësh dhe, megjithatë, nuk është njohur me dosjen që përmban rreth 60 mijë faqe.

USB-ja e dorëzuar avokatëve, që përmban të ashtuquajturat “akte të vëna në dispozicion”, për të është thjesht një iluzion procedurial. Në paraburgim nuk mund të përdorë pajisje elektronike; nuk mund të hyjë në dokumente; nuk mund të lexojë asgjë.

“Unë nuk kam parë asnjë faqe të dosjes”, tha ai me një qartësi që e ngriti peshë sallën. “Nuk e kam të qartë akuzën në formë të plotë. Dhe pa u njohur me dosjen, mbrojtja ime është e pamundur”.

Ai u ndal te Kushtetuta, te Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, te nenet që garantojnë të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Të gjitha këto, tha Veliaj, janë shkelur hapur. Dhe megjithatë, ai tha se nuk kërkon trajtim të veçantë – kërkon vetëm standardin minimal të drejtësisë që u takon të gjithëve.

Në fund, ai i drejtoi gjykatës një lutje të qartë: heqjen e kafazit metalik, vënien reale dhe të plotë të dosjes në dispozicion, dhe një shtyrje të procedurës derisa t’i garantohet mundësia e vërtetë për mbrojtje.

“Drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze”, tha ai. “Nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese apo mbi shkelje të të drejtave themelore. Unë pres drejtësi me standarde evropiane”.

Shpërndaje në: