Përfaqësuesi i Trafikut Urban paralajmëron veprime radikale: Nëse zvarritet do ta bllokojmë qytetin me autobusë

Përfaqësuesi i Trafikut Urban paralajmëron veprime radikale: Nëse zvarritet do ta bllokojmë qytetin me autobusë

Përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Elmi Gashi, ka paralajmëruar se protestat e punëtorëve të ndërmarrjes dhe operatorëve privatë do të ashpërsohen nëse vazhdon zvarritja e alokimit të mjeteve për pagat e tyre, duke përmendur edhe mundësinë e bllokimit të qytetit me autobusë.

Ai iu bëri thirrje Ministrisë së Financave dhe Komunës së Prishtinës që të reflektojnë, duke theksuar se janë lënë “si një top i ping pongut” mes dy institucioneve.

Sipas Gashit, situata nuk do të qetësohet pa u shlyer borxhi që Komuna i ka “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë.

“Protesta po vazhdon me avazin e vjetër sikurse dje por deri në momentin që nuk alokohen mjetet për të shlyer borxhin Komuna ndaj ‘Trafikut Urban’ dhe operatorëve privatë një gjë e tillë nuk do të ndërpritet vetëm sa do të radikalizohet në ditët në vijim…”, u shpreh ai, duke shtuar se shpreson që mjetet të alokohen sa më shpejt.

Gashi paralajmëroi se janë të gatshëm të ndërmarrin veprime skajore: “Dhashtë zoti stërzgjatet me vite nëse është në interes të këtyre. Por ne do të fillojmë me radikalizmin e veprimeve dhe do të bllokojmë gjithë qytetin, me gjithë autobusët do të dalim…”, duke theksuar se janë të përgatitur ta marrin përgjegjësinë edhe nëse një veprim i tillë konsiderohet shkelje nga organet e rendit.

Shpërndaje në: