Pse në VV nuk po shkon askush? – Albin Kurti ende asnjë aderim të ri

Pse në VV nuk po shkon askush? – Albin Kurti ende asnjë aderim të ri

Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë kanë nisur edhe të përforcohen.

Ish partitë opozitare tanimë kanë prezantuar prurjet e reja, ndryshe prej Vetëvendosjes që deri tani s’ka hyrë askush i ri, ani pse kanë mbetë pak ditë deri në përfundimin e afatit për t’i dorëzuar listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Shija që Lëvizja Vetëvendosje ka lënë gjatë qeverisjes pesëvjeçare, mesa duket nuk përputhet me asnjë figurë, sa që të ketë aderime në këtë parti.

Përveç thirrjeve ndaj diasporës për të votuar, as Albin Kurti, e as partiakët e tij nuk kanë bërë ende asnjë prezantim.

Analisti Halil Matoshi thotë se kjo po ndodh për shkak që qytetarët më nuk e shohin alternative, dhe se Kurti më s’ka çfarë me tregu.

“VV është ngulfat me impulsivitetin e saj, domethënë nuk ka kuadro, askush nuk shkon, sepse qytetarët e saj nuk e shohin më alternative. Krejt arsenalin cka e ka pasë Albin Kurti e ka qit në terren, e ka shfaq, e ka zbraz”, ka deklaruar Matoshi në Kanal 10.

Kurse partitë e tjera nuk kanë qëndruar duarkryq.

Në partinë e dytë më të madhe, në PDK së fundmi ka aderuar Gëzim Qerimi, profesori i asociuar i Universitetit të Prishtinës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza theksoi se Qerimi është autor i punimeve shkencore ndërkombëtare dhe një profil që sipas tij i jep peshë ekipit të PDK-së.

Po ashtu, PDK-së i është bashkuar edhe hematologu Adriatik Berisha, të cilin Hamza e cilësoi si profesionist të jashtëzakonshëm me “përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare”.

Njëjtë veproi edhe Shkumbin Demaliaj.

I pari i PDK’së Hamza ka thënë se shkrirja e kësaj iniciative në PDK është hap i rëndësishëm në rrugëtimin për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar.

“Partisë Demokratike të Kosovës, sot zyrtarisht i është bashkuar Iniciativa Qytetare “Demokracia”, e udhëhequr nga ish-deputeti Shkumbin Demaliaj. Shkrirja e saj në PDK është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të përbashkët për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar. Vazhdojmë përpara me përkushtim dhe bashkëpunim për një Kosovë më të mirë!”.

Po ashtu, një ish partiak i Albin Kurtit, u shkri në PDK.

Eman Rrahman me Koalicionin për Familje ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër që nuk përçan.

“Ne do të garojmë si koalicion brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës, pas ftesës së kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, z. Bedri Hamza, me të cilin kemi nisur këtë rrugëtim të përbashkët. Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan”, tha ndër të tjera ai.

Keq s’mbeti as Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lumir Abdixhiku, ka pranuar në partinë që e udhëheq edhe gjeneralin në pension Gëzim Hazrolli, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe veteran i Brigadës 123 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

LDK zyrtarizoi se në listë për deputet do të jetë edhe djali i ish presidentitIbrahim Rugova, Uka.

Radhët e LDK veç sa u përforcuan më shumë edhe me Gëzim Kasapolli, ish-ambasador i Kosovës në Kroaci.

Madje Abdixhiku tha se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është përgjigja që kërkon situata aktuale politike dhe zhgënjimi në rritje i qytetarëve.

“Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së”, ka shkruaru ai në njoftimin për Kasapollin.

Ky subjekt do ta ketë në krah Partinë e Drejtësisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas PD-së, marrëveshja është miratuar njëzëri nga Kryesia dhe parasheh që kandidatët e Partisë së Drejtësisë të jenë pjesë e listës së përbashkët zgjedhore të LDK-së. Subjekti politik e ka vlerësuar këtë format si mënyrën më të volitshme për përfaqësimin e vlerave dhe programit të saj, duke synuar forcimin e stabilitetit institucional dhe ofrimin e qeverisjes cilësore.

Rikthim befasues ishte dhe ai i Agim Çekut në skenën politike.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, zgjodhi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë edhe Dardan Krasniqi, kunati i ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Këtë e ka konfirmuar Daut Haradinaj në Klan Kosova.

Madje ai ka paralajmëruar së paku edhe 30 emra të ri, por që janë të rëndësishëm.

“Agim Çeku është në shtëpinë e vet, është ish-kryeministër i Aleancës, është lajm i madh dhe po, është lajm i vërtetë. Do të jenë edhe shumë lajme të tjera në 2-3 ditët e ardhshme. Edhe Dardan Krasniqi do të jetë në listën e AAK-së”, deklaroi Haradinaj.

“Besoj, mendoj që janë 30 emra të rinjë të mëdhaj, nacional që janë shumë emra të rëndësishëm. Avdyl Rraci, Arben Kiçina, vëllai i katër dëshmorëve, shumë emra të tjerë”, deklaroi dje Haradinaj.

Në këtë aspekt, në Lëvizjen Vetëvendosje askush deri tani nuk ua ka shkelur “pragun” e partisë.

Kujtojmë që, fushata zgjedhore do të fillojë me datën 17 dhjetor.

Partitë kanë të drejtë deri më datën 6 dhjetor të dorëzojnë listën me kandidatë.

Pasi Kuvendi nuk arriti ta votojë qeverinë e re, presidentja Vjosa Osmani e shpërndajti Kuvendin javën e kaluar dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 28 dhjetor./Periskopi/

 

“Do ta rrisim degën dhe LDK`në” – Ekrem Hyseni tregon se a do të jetë Agim Veliu në listë për deputet

Shpërndaje në: