“Era nepotizëm”: Zbulohen lidhje të tjera të ngushta të prokurorit Arian Gashi me Vetëvendosjen
Ngjitja e prokurorit Arian Gashi në Këshillin Prokurorial lidhet me ndikimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, agjendën e së cilës ai dyshohet se po e shtyn përpara në sistemin prokurorial. Përpos vëllait, edhe motra e tij rezulton të jetë e lidhur ngushtë me pushtetin, rapoton Parparaci, transmeton Periskopi.
Avancimi i Arian Gashit në trupën më të lartë të sistemit prokurorial, KPK, identifikohet me periudhën e marrjes së pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje pas vitit 2021.
Gashi, i zgjedhur anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës në vitin 2022, është njëri nga katër anëtarët e këtij organi që po e kundërshton në çdo formë shkarkimin e Besim Kelmendit, u.d. Kryeprokurorit të Shtetit që rezulton të ketë punuar në sistemin e drejtësisë të ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Zgjedhja e tij si anëtar i KPK-së nuk është e rastësishme me pozicionimin e Vetëvendosjes në qeveri.
Siç raporton Paparaci familjarë të ngushtë të prokurorit Gashi kanë lidhje politike me partinë në pushtet.
Përveç vëllait të tij, Urim Gashit, i cili me miratimin e qeverisë së Albin Kurtit është vendosur në krye të trupës mbikëqyrëse të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Gjakova’, edhe motra e anëtarit të KPK-së evidentohet të jetë e afërt me Vetëvendosjen.
Pranvera Berisha-Gashi, motra e anëtarit të KPK-së, Arian Gashi, është zyrtare e partisë Guxo në Suharekë, partneres qeverisëse të Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, Berisha-Gashi ka kandiduar për një ulëse në Asamblenë Komunale të Suharekës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ka qenë e renditur e dyta në listën zgjedhore, poshtë kandidatit për kryetar Sali Zybës.
Në fushatën e zgjedhjeve lokale të atij viti, motra e prokurorit të Prokurorisë së Apelit, me gjuhën e Vetëvendosjes fliste për “çkapje të institucioneve nga punësimet, investimet dhe favorizimet partiake”.

“Çkapja e institucioneve lokale nga punësimet, investimet dhe favorizimet në baza partiake, është më e nevojshme se kurrë më parë”, shkruante Berisha-Gashi në një postim në rrjetin social Facebook në tetorin e vitit 2021.
Krejt e kundërta dëshmohet se ka ndodhur me familjen e saj.
Vëllai i saj prokuror që po shtyn përpara agjendën e Vetëvendosjes në Këshillin Prokurorial, derisa vëllai tjetër i saj drejtues i bordit të KRU Gjakovës tregojnë për lidhjet nepotiste të familjes me partinë në pushtet.
Urim Gashi, vëllai i anëtarit të KPK-së, Arianit dhe zyrtares së partisë Guxo, Pranverës, ishte emëruar në krye të Bordit Drejtues të ndërmarrjes publike të ujësjellësit ‘Gjakova’ korrik të vitit 2020.
Këtë funksion, të cilin e mori me “aminin” e Qeverisë Kurti në një mbledhje të 20 korrikut, 2022, ai e ushtron ende sot.
Derisa ai ushtron këtë funksion larg vëmendjes publike, në qendër të zhvillimeve në vend ditëve të fundit është gjendur vëllai i tij, Arian Gashi, i cili pos që e ka mbrojtur shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, është përfshirë në një incident për të cilin mund të ndiqet penalisht.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Prokurorial, të hënën, Gashi është denoncuar publikisht për ushtrim ndikimi dhe presioni ndaj prokurorëve për procesin e zgjedhjes së një anëtare prokurore të KPK-së në nëntorin e këtij viti.



