Ish ministri Rifat Latifi merr një pozitë të lartë në Universitetin e Prishtinës

Ish ministri Rifat Latifi merr një pozitë të lartë në Universitetin e Prishtinës

Ish ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

QKSTK në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara.Sipas njoftimit të Universitetit të Prishtinës, Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

“Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global” thuhet në njoftim.

Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, në krye të së cilës është Latifi nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

Rifat Latifi ishte emëruar ministër i shëndetësisë më 16.11.2021 ndërsa kishte dhënë dorëheqje një vit pas, më 06.10.2022.

Shpërndaje në: