Hykmete Bajrami e LDK-së ka reaguar ashpër pas debatit për krizën energjetike, duke akuzuar Qeverinë Kurti dhe ministrat e saj se “janë strukur dhe nuk guxojnë të ballafaqohen me qytetarët” për vendimet katastrofale në sektorin e energjisë gjatë viteve 2021–2025.
Bajrami pas konferencës së Armend Mujës së VV-së ka zbërthyer siç thotë “të gjithë mashtrimin” e tij i cili sipas saj u pa në siklet teksa tentonte të mbronte kontratën me Vuk Hamoviqin.
Sipas Bajramit, gjatë këtyre katër viteve kanë ndodhur skandale të njëpasnjëshme: tërheqja e Counter Global, refuzimi i projektit amerikan të gazit, mungesa totale e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtritshme, tri rritje të çmimit të energjisë, përjashtimi i 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar, qarkullimi 160 milionë euro i NOA-s brenda një viti dhe pagesa deri në 800 euro për transport të një megavat orë energji.
Ajo thekson se importi i energjisë ka arritur në 811 milionë euro gjatë qeverisjes Kurti – trefish më shumë se periudha 2015–2020 – ndërsa qeveria nuk jep asnjë përgjigje për këto zhvillime.
Postimi i plotë:
Pasi Albin Kurti dhe ministrat janë fshehur, janë strukur dhe nuk guxojnë të ballafaqohen, po e zbërthej të gjithë MASHTRIMIN e dikur përkrahësit të PDK-së, z. Muja, i cili sot ishte në siklet teksa mundohej të mbronte Qeverinë e LVV-së, Vuk Hamoviqin, NOA-n dhe mafinë energjetike.
A e din sa zhvillime kanë ndodhë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit 2021-2025 në sektorin e energjisë?
1. Është tërhequr Counter Global.
2. Keni refuzu projektin e gazit amerikan.
3. Nuk është shtu asnjë MWh energji e ripërtritshme – të gjitha projektet e Ministrisë së Ekonomisë që 5 vjet janë në procedura.
4. Gjatë kësaj periudhe është rritë çmimi i energjisë 3 herë; është rritë më shumë se dyfish për ekonomitë familjare.
5. Gjatë kësaj periudhe janë përjashtu 1300 ndërmarrje vendore nga tregu i rregulluar. Ka ndodhë liberalizim i dhunshëm i tregut, ndërmarrjeve u është thënë ju nuk mund të bleni energjinë që e prodhon KEK-u, por duhet ta bleni nga vllau i Luan Dalipit dhe të tjerët.
6. Brenda një viti NOA ka ba qarkullim 160 milionë Euro.
7. Ka rasitsë që Kosova me pagu deri 800 Euro për transport të MWh.
8. Sipas të dhënave të Doganës, derisa Kosova prej vitit 2015 deri në vitin 2020 ka importu 273 milionë Euro energji, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit (i cili një ndër premtimet e ka pasë me shkatërru “mafinë energjetike”), importi ka arritë 811 milionë Euro.
Asnjë fjalë për 2021–2025!