Hekuran Murati kthehet kah Hamza pak, jep vlerësime për debatin e tij: Fliste i pasfiduar nga analistët
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë një vlerësim të tij pas paraqitjes së Bedri Hamzës në emisionin “Debat Plus”, duke thënë se diskutimi aty ishte larg asaj që pritej nga një debat i mirëfilltë, raporton Periskopi.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se Hamza foli gjatë gjithë kohës pa u sfiduar nga analistët, sipas tij me supozime.
Murati tutje thotë se i vetmi moment kur Hamza tentoi të përdorte të dhëna konkrete ishte kur foli për normat e interesit, duke dhënë shembuj me “rrëmojsa e dru”, por edhe aty “ia huqi”.
Postimi i plotë:
Në emisionin Debat Plus mbrëmë ku ishte i ftuar Bedri Hamza, si për ironi ndaj emrit të emisionit, vetëm debat nuk pati.
Bedri Hamza gjatë gjithë kohës fliste i pasfiduar nga analistët. Edhe për tema ekonomike, fliste pa referencë në asnjë shifër apo fakt. Vetëm me hamendësime e supozime të pambështetura në fakte.
I vetmi rast kur Bedri Hamza iu referua të dhënave, ishte teksa mundohej të spjegonte normat e interesit me shembuj të “rrëmojsave e druve”. Por edhe aty ia huqi.
Tha se kur e ka lënë detyrën si Guvernator i BQK-së në vitin 2017, norma mesatare e interesit paska qenë 6.2%, kurse tash sipas tij ka shkuar më lartë.
Çka thonë faktet?
Sipas të dhënave zyrtare nga BQK, në vitin 2017, norma mesatare e interesit për kreditë e reja ka qenë 6.83%.
Kurse në vitin 2025 (janar-tetor) është 6.28%.
Kjo madje përkundër rritjes së Euriborit përgjatë kësaj periudhe.
Pra mjafton një hulumtim i shpejtë, dhe faktet e demantojnë Bedri Hamzën.



