“Babai yt më vrau vëllanë” – Vajza sekrete e Putinit ndalohet nga gazetari mes Parisit
Luiza Rozova, e cila dyshohet të jetë vajza sekrete e presidentit rus Vladimir Putin, ka kërkuar falje për luftën në Ukrainë, pasi u përball në Paris me një gazetar ukrainas.
Siç shkruan New York Times, Rozova u ndal në rrugët e Parisit, nga gazetari Dmytro Sviatnenko, vëllai i të cilit u vra në një sulm ajror rus.
22-vjeçarja u filmua nga ai, duke thënë se i vinte “shumë keq” për luftën, por theksoi se nuk kishte fuqinë për ta ndalur. “Fatkeqësisht, unë nuk jam përgjegjëse për këtë situatë,” u shpreh Rozova, e cila mbante një maskë në fytyrë dhe shoqërohej nga një truprojë.
Gazetari ukrainas iu drejtua po ashtu vajzës së Putinit me fjalët ”Tre javë më parë, babai yt vrau vëllain tim”, dhe e pyeti nëse ajo e mbështet luftën e Putinit. Rozova u përgjigj: “Çfarë lidhje ka kjo me mua?”, ndërsa Sviatnenko i tha: “Ai është babai yt. Të paktën mund ta telefonoje dhe t’i thoshe: ‘Baba, ndalo bombardimet mbi Kievin.’”
Rozova, e cila sipas mediave është fëmija i marrëdhënies së Putinit me ish-të dashurën e tij Svetlana Krivonogikh, multimilionere e njohur në Rusi, kërkoi gjithashtu të mos filmohej gjatë përballjes me reporterin e TSN-së.
Ky episod ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke shtuar debatet mbi jetën private të Putinit por dhe ndikimin e luftës në Ukrainë./Periskopi/



