Ideja për një qeveri tjetër nga LVV ka vdekur
Shkruan: Shenoll Muharremi
Lëvizja Vetëvendosje, që dikur ka qenë shpresa e vetme për reforma, luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe zhvillim eventual të vendit, tashmë është një parti krejt tjetër.
Ajo nuk ka arritur me reformu drejtësinë, e ka izoluar Kosovën, dhe gjithashtu është bërë sinonim i kapjes së institucioneve dhe bordeve, si dhe ka qindra tenderë të negociuar. Me fjalë të tjera, krejt çka ka qeshë e kritikuar, është bërë vetë pas 4-5 viteve në qeverisje.
LVV nuk po ka më çka me i ofru publikut, qytetarëve dhe Kosovës. Ajo duket me qenë viktimë e suksesit të jashtëzakonshëm të vitit 2021 dhe e një dështimi për ta përkthyer atë sukses në diçka pozitive për Kosovën.
Sot LVV njihet si nxitëse kryesore e përçarjes dhe polarizimit të shoqërisë. Eksponentët kryesorë të saj vetëm shajnë e linçojnë njerëz, gazetarë, politikanë e gjithkënd që nuk mendon si ta. Pozita ndërkombëtare është më e rrezikshmja ndonjëherë ku SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën e ku me BE kemi stagim dhe masa, diçka absurde me paramendu në të kaluarën.
Në aspektin ekonomik, LVV ka treguar mungesë dramatike të kapaciteteve për me i parandaluar fenomene si rritja kaq astronomike e çmimit të rrymës dhe inflacionit që tashmë ka shkatërruar fuqinë blerëse të kosovarëve. E importi, sidomos deficiti në mallra, i ka shkuar në 6 miliardë apo sa gjysma e ekonomisë!
Me fjalë të tjera, LVV nuk ka as kompetencë e as kapacitete për t’i adresuar nevojat e Kosovës, por edhe është bërë e dëmshme për publikun me nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe polarizimit që mund të çojnë Kosovën edhe në njëfarë lufte civile, hipotetikisht.
Mbi të gjitha, ka dështuar me formuar shumicë e qeveri me rreth 400 mijë vota e 48 mandate sa ka fituar. E ka mbajtur të bllokuar dhe paralizuar vendin me muaj, gati një vit, vetëm me ruajt (jo Kosovën) por pushtetin e saj të koncentruar. Kjo për shkak të gabimeve trashanike me partnerët dhe përbuzjes, ofendimeve e linçimeve që u ka bërë të gjithëve. E gjithashtu ambicjeve të dëmshme për pushtet absolut dhe krejt për vete.
LVV duhet me u shëru, duhet me u reformu dhe me e rigjetur veten. Në këtë formë sikur tani, nuk i duhet Kosovës shumë. Sot ajo duket negative, toksike dhe pa një ide e program se si me i ndihmuar Kosovës e kosovarëve që janë në hall të madh nga çmimet astronomike dhe gjithashtu nga marrëdhëniet e vështira me BE e SHBA.
Ironikisht, nuk është që në anën tjetër partitë po shndërisin. Edhe blloku tjetër dështoi me formuar një shumicë që ta drejtojë Kosovën. Por aktualisht, pas gjithë asaj që kemi parë e përjetuar vitet e fundit, duket që ideja që LVV për të drejtuar qeverinë e ardhshme është e vdekur.
Ajo as nuk ka partnerë me kë të formojë shumicën, por as nuk ka ide se çka me bërë. Sot LVV është e fokusuar në polarizim e përçarje të shoqërisë, urrejtje e linçime të atyre që nuk mendojnë sikur ta dhe justifikim të krizave e bllokadave që po i shkakton për interesa të ngushta politike e në dëm të Kosovës.
LVV njihet si parti e bllokadave, krizave të vazhdueshme dhe nuk ofron zgjidhje. Nuk ka partnerë me kë të formojë shumicë. Të gjitha këto duhet të jenë indikatorë kredibilë që gjasat e LVV-së për të drejtuar një qeveri të ardhshme janë minimale. Ashtu siç është në mjegull ideja se kush dhe si do të formohet një shumicë tjetër eventuale.
Prandaj, edhe Kosova gjendet në një krizë dhe tranzicion ku po lëviz nga politikat e majta dhe popullizmi, që nuk po mundet me përballuar e duruar më tej, në të djathtën dhe diçka si formë ende të panjohur, por që padyshim është stabiliteti, normaliteti dhe funksionimi ajo që po kërkohet.



