Sveçla ‘ia jep’ afër 30 mijë euro UBO`s, ka të bëjë me një hulumtim të opinionit
Afërisht 30 mijë euro do të përfitojë kompania “UBO Consulting” nga ministria e Punëve të Brendshme, pak javë pasi pushteti kërkonte hetime ndaj tyre për ‘manipulim’ të sondazheve për zgjedhjet lokale.
“UBO Consulting” është shpallur fituese e tenderit ‘Hulumtime të opinionit të qytetarëve lidhur me fushën e sigurisë së brendshme‘ në vlerë prej 28 mijë eurove.
Sipas kontratës mes Ministrisë dhe “UBO Consulting”, kjo e fundit do të duhet të realizojë diku rreth 7 mijë e 200 anketa në lidhje me opinionet e qytetarëve për fushën e sigurisë së brendshme.

Ministria kishte pranuar dy aplikime, mirëpo vetëm “UBO Consulting” është shpallur e përgjegjshme.
Pikërisht kjo kompani ishte në qendër të kritikave dhe sulmeve nga Vetëvendosje pas EXIT POLL-eve të nxjerra për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Madje, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci kishte paralajmëruar edhe padi ndaj UBO-s. E kryeministri Kurti e kishte quajtur “inxhiniering” EXIT POLL-in e realizuar në atë komunë nga UBO, duke kërkuar edhe hetim nga prokuroria për të.




