Abdixhiku prezanton listën e kandidatëve për deputetë

Abdixhiku prezanton listën e kandidatëve për deputetë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot listën zgjedhore të subjektit të tij, të cilën e ka quajtur “lista e shpresës” për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku theksoi se lista e LDK-së përfaqëson njerëz me përvojë, profesionalizëm dhe integritet – figura që, sipas tij, besojnë në shtet, ligj, meritokraci dhe në të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ai u shpreh se ekipi i prezantuar është një kombinim i profesionistëve të dëshmuar, aktivistëve të palodhur të partisë, gjeneratës së re që kërkon hapësirë dhe përgjegjësi, si dhe personaliteteve që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin e institucioneve, ekonomisë, arsimit dhe sigurisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Një, dy, tre.
Zgjedh shpresën!

Sot paraqesim listën tonë të shpresës. Listën e njerëzve që besojnë në shtet, në ligj, në meritë dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Ky është ekipi që përfaqëson përvojën, profesionalizmin dhe energjinë e një gjenerate të re që kërkon ndryshim të vërtetë për vendin.

Kjo është lista e të ardhmes sonë. Një kombinim i njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri. Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve.

Me këtë listë, Lidhja Demokratike e Kosovës nis rrugëtimin drejt më 28 dhjetorit për ta kthyer vendin në normalitet, për t’i rikthyer institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin. Shkojmë drejt fitores me qetësi, me dije, me përkushtim – dhe me besimin se populli i Kosovës do të zgjedhë shpresën.

Le të ecim bashkë.
Për shpresën. Për shtetin. Për Kosovën tonë.
#LDK123

Shpërndaje në: