U arratis si në filma, zbulohet skema: Taulant Tomën e kërkon gjithë Italia
Zbardhen detaje të reja nga arratisja spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë i Operas në Itali të 41-vjeçarit shqiptar Taulant Toma.
Hetuesit italianë kanë zbuluar se ai pasi preu hekurat e qelisë përdori një ganxhë artizanale për të kapërcyer murin rrethues dhe për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Toma po kërkohet në të gjithë Italinë nga forca të shumta policore.
Këto janë mjetet që përdori 41-vjeçari shqiptar Taulant Toma për të realizuar arratisjen spektakolare nga burgu i Operas në Itali. 41-vjeçari, i cili mbahej në njësinë e sigurisë maksimale, arriti të arratisej duke prerë hekurat dhe duke përdorur çarçafë të lidhur për të zbritur nga qelia e tij.
Sipas hetuesve, Toma pasi doli nga qelia arriti në murin rrethues të lartë 6 metra dhe pasi u ngjit mbi të, u arratis në mes të natës. 41-vjeçari ka realizuar në mënyrë artizanale një ganxhë me material druri rreth 6 metra të gjatë të cilën e ka përdorur për t’u ngjitur në murin rrethues, dhe më pas ka zbritur murin e lartë dhe është larguar në drejtim të paditur. Një arratisje spektakolare e cila ka vënë në alarm të gjithë forcat e sigurisë në Itali. 41-vjeçari aktualisht është në kërkim në të gjithë vendin dhe po kërkohet nga forca të shumta policore, shkruan A2 CNN.
Hetuesit po analizojnë kamerat në burgun e Operas për të rindërtuar skemën dhe për të hetuar çdo ndihmë të ofruar të burgosurit në planin e tij të arratisjes. Toma kishte organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe me detaje, ai për t’u arratisur ka zgjedhur orën kur po bëhej ndërrimi i turneve të rojeve në burgun e Operas.
Taulant Toma njihet si mjeshtër i arratisjeve, ai kishte arritur vite më parë të arratisej katër herë të tjera. E fundit ishte në shkurt 2013, kur, së bashku me një të burgosur tjetër, ai u arratis nga burgu i Parmës, më pas u arrestua pas disa muajsh, në Belgjikë. I transferuar në një burg jo shumë larg qytetit të Liège, Taulanti gjithashtu arriti të arratisej. Arratisja e tij e parë daton në vitin 2009, kur u arratis nga burgu i Ternit.
Burgu ku ndodhej Taulant Toma së fundmi ai i Operas në Milano ka rreth 1338 të burgosur dhe 533 oficerë që e menaxhojnë./Periskopi/



