Dënohet futbollisti britanik
Karriera e një futbollisti të ri britanik ka marrë fund në mënyrë të papritur, pasi ai u dënua me tre vite burg për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.
Thierry Nevers, 23 vjeç, ish-lojtar i akademisë së West Ham dhe me eksperienca te Reading, Newport County e Bradford City, rezulton të ketë marrë pjesë në shpërndarjen e drogës në zonën e Reading.
Nevers, i cili më herët ishte transferuar në Moldavi te Sheriff Tiraspol dhe më pas në Kroaci te NK Varaždin, u shpall fajtor për konspiracion në furnizimin me drogë të klasit A. Prokuroria theksoi se ai udhëtonte rregullisht nga Dorrington drejt Reading për të ushtruar aktivitetin e paligjshëm.
Situata u rëndua edhe më shumë nga fakti se futbollisti publikonte në Instagram video muzikore ku mburrej hapur me aktivitetin e tij kriminal.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, Allan Barrass, 50 vjeç, u dënua me dhjetë vite burg, pasi pranoi akuzën për të njëjtin krim dhe për posedim të një arme të shkurtuar zjarri.
Gjatë kontrollit të policisë në banesën e Barrass, u gjetën një shotgun i mbushur, 40 gram kokainë, rreth 5,860 paund cash si dhe disa armë të tjera të ftohta. Në garazh u zbuluan gjithashtu bimë kanabisi të kultivuara, përcjell a2cnn.
Pamjet e bodycam-it të policisë treguan arrestimin e Barrass nga forcat e armatosura më 6 gusht. Hetimi i celularëve të sekuestruar vërtetoi komunikimin e vazhdueshëm mes dy të dënuarve, si dhe prova për aktivitetin e tyre të përbashkët.
Mbikëqyrësi i hetimit, Detective Sergeant Adam Petty, deklaroi: “Droga ka një ndikim shkatërrues në komunitetet tona dhe nuk do të tolerohet. Aktiviteti i tillë sjell dhunë, rritje të krimeve të vjedhjes dhe shpesh, si në këtë rast, armë të rrezikshme.”/Periskopi/



