Lamtumirë Champ!

Lamtumirë Champ!

Shkruan: Halil Matoshi

Nazif Gashi me Klubin e boksit “Prishtina” mateshin – e ngadhnjenin – me nji shtet 25 milionësh!

Ai, iku në amshim në moshën 74-veçe…

1.

Ishin vitet e ’70a të shekullit 20.

Kosova sapo kishte fitu autonomi politike dhe terrtoriale në federalizmin jugosllav me Kushtetutën e vitit 1974.

(Randësia e saj u pa tek në verdiktin e GjNDsë, më 2014.)

Shqiptari nisi me i çelë sytë. Duhej kriju identiteti i mëvetësishëm kulturor po edhe sportiv.

Klubi i boksit “Prishtina” me Lah Nimanin dhe brezin e artë të bokserëve, u ngjit në majat e Jugosllavisë, kampion!

Me Xhevdet Pecin e Aziz Salihun, me Mehmet Bogujevcin e Bajram Hashanin…

Me Nazif Gashin.

2.

Kam qenë nxanës në fillore dhe mbaj mend sikur sot përleshjen ma të guximshme të “djaloshit flokëverdhë” – siç e cilësohshin me përkdhelje Nazifin, gazetarët e sportit të “Rilindjës”…

Gashi u shque veçmas në meçin me kampionin european të kohës, Marjan Beneš-in, që u mbajt me 2 dhetor, 1974 dhe fitues ishte Gashi.

Ishte e pabesueshme.

Ishte nji fitore kombëtare e Kosovës.

3.

Nji gazetar i ri më kishte pyetur sëvonj, nëse e mbaj mend intervistën e parë të cilën e kisha bâ në gazetari?

U kujtova nji copë herë dhe po, m’u kujtue se ishte intervista e parë me Nazif Gashin, për gazetën e studentëve, “bota e re”.

Intervista me nji guximtar Kosove të atyne kohnave, boksierin legjendar prishtinas dhe mbaj mend që në pyetjen, se mos kishte frikë në ring se mund ta godasë kundërshtarin për vdekje, ai më ishte përgjigjur: “Dora nuk ka terezi”!?

Kjo fjali e shqiptueme p’ej tina m’pati bâ përshtypje asokohe, saqë e nxora titull të intervistës!

4.

Lamtumirë ikonë e Prishtinës. Jo dora – po koha nuk ka terezi dhe godet edhe të pathyeshmit.

Viganët, siç na janë doktë kur ishim të ri.

Yjet shkëlqejnë dhe shuhen ni ditë, por legjendat si Nazif Gashi që i kanë dhânë fuqi tânë nji kombi që po vinte n’histori… nuk shuhen kurrë!

Ata zdritin emnin e Kosovës – që u ngrit nga hini – feniks.

Shpërndaje në: