Lista Srpska ankohet në PZAP pasi KQZ s’ia certifikoi kandidatët e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Lista Srpska është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Për këtë ka njoftuar anëtari i Kryesisë së Listës Srpska, Igor Simiq, i cili tha se vendimi i KQZ-së “përfaqëson një përpjekje të regjimit të Kurtit për t’u imponuar serbëve se kush do t’i përfaqësojë ata në parlament”.
Simiq tha për Kosovo Online se KQZ “tradicionalisht merr vendime të paligjshme për të parandaluar pjesëmarrjen e Listës Srpska në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe tani po përpiqet të mos certifikojë kandidatët e saj për deputetë”.
“Mbrëmë vonë na dërguan një vendim në të cilin, citoj, thuhet ‘kontrollet e listës së kandidatëve nuk rezultuan në ndonjë gjetje që do të pengonte konfirmimin e asnjërit prej kandidatëve të Listës Srpska të paraqitur nga kjo parti për këto zgjedhje’. Pra, ata e shkruajnë këtë dhe pastaj keni një vendim që thotë ‘rekomandimi që u dha është refuzuar’”, tha Simiq.



