Finlandë: Humbi ekipi, tre tifozë të mitur i vënë flakën stadiumit

Finlandë: Humbi ekipi, tre tifozë të mitur i vënë flakën stadiumit

Finlanda është tronditur nga një ngjarje e paprecedentë në futbollin vendas.

FC Haka, një ndër klubet më të vjetër e më të suksesshëm në vend, i njohur për nëntë tituj kampion në Veikkausliiga, ka rënë në kategorinë e dytë dhe disa orë pas kësaj, tre tifozë të mitur kanë ndezur zjarr në stadiumin historik të klubit.

Incidenti ka ndodhur në “Tehtaan Kenttä” të Valkeakoskit, një impiant i ndërtuar në vitin 1934 me kapacitet rreth 3200 tifozë.

Sipas raportimeve, zjarri ka nisur nga ndezja e një objekti brenda stadiumit dhe është përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturë.

Autorët e zjarrvënies janë identifikuar si tre të mitur, çka e komplikon procedurën ligjore: ligji finlandez nuk lejon ndjekje penale për personat nën moshën 15 vjeç.

Megjithatë, të rinjtë mund të mbajnë përgjegjësi civile për dëmet e shkaktuara, të cilat për momentin vlerësohen si tepër të mëdha.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Finlandë, ndërsa klubi historik përballet me një nga momentet më të errëta të ekzistencës së tij./Periskopi/

 

Shpërndaje në: