Reali gjen pasuesin e Xabi Alonsos

Reali gjen pasuesin e Xabi Alonsos

Real Madridi e ka vendosur Zinedine Zidanen në krye të listës së zëvendësuesve të mundshëm për Xabi Alonson, në rast se trajneri aktual largohet nga “Santiago Bernabeu”.

Rikthimi i legjendës franceze në kryeqytetin spanjoll po konsiderohet seriozisht nga presidenti Florentino Perez, i cili ka ruajtur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të.

Zidane nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre që prej vitit 2021, kur u largua nga Real Madridi duke iu referuar mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e klubit. Gjatë dy periudhave të tij si trajner madrilen, ai shkroi histori duke udhëhequr “Los Blancos” drejt tre titujve radhazi të Ligës së Kampionëve, një arritje e papërsëritshme në futbollin modern.

Raporti thekson se Zidane vazhdon të gëzojë besimin absolut të Perezit, i cili e konsideron figurën e tij si një kombinim ideal mes autoritetit, karizmës dhe njohjes së thellë të klubit. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes ka qenë gjithmonë i fuqishëm, ndërsa shumë prej yjeve aktualë të Madridit kanë punuar më herët nën urdhrat e tij, përcjell telegrafi.

Megjithatë, situata nuk është plotësisht e qartë. Zidane prej vitesh shihet si trajneri i ardhshëm i Francës dhe pritshmëritë janë që ai të marrë drejtimin e kombëtares në verën e vitit 2026. Federata Franceze e Futbollit prej kohësh e ka konsideruar atë pasuesin ideal të Didier Deschamps.

Sidoqoftë, Real Madridi po mban të hapura të gjitha opsionet. Jurgen Klopp është një tjetër emër i pëlqyer nga drejtuesit e klubit. Edhe pse trajneri gjerman është aktualisht në pushim, profili i tij modern dhe personaliteti i fortë pëlqehen shumë në Bernabeu.

Ndërkohë, brenda klubit ekziston edhe një opsion i tretë: trajneri i Castillas, Alvaro Arbeloa, i cili vlerësohet lart nga struktura sportive e Real Madridit. Arbeloa është në pritje të zhvillimeve dhe konsiderohet një kandidat i brendshëm për postin, në rast se klubi vendos të investojë te kontinuiteti dhe zhvillimi i projekteve afatgjata.

E ardhmja e stolit të Real Madridit do të varet kryesisht nga vendimi i Xabi Alonsos, i cili vazhdon të jetë nën vëzhgim nga klube të tjera të mëdha të Evropës. Në momentin që ai largohet, Zidane mbetet emri i parë në listë./Periskopi/

Shpërndaje në: