Lulzim Aliu: Kandidatët që e synojnë qeverinë qendrore duhet patjetër të kalojnë nëpër nivelin lokal
Lulzim Aliu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), foli për rëndësinë e qeverisjes lokale dhe rolin e saj në përgatitjen e kandidatëve për nivelin qendror të pushtetit.
Aliu theksoi se është e rëndësishme që qeverisja lokale të shihet nga perspektiva e qytetarëve dhe jo vetëm nga këndvështrimi i një qyteti apo i një zyrtari të vetëm. Sipas tij, përvoja në nivel lokal u jep politikanëve një kuptim më të drejtpërdrejtë të nevojave reale të qytetarëve.
“Është e mirë që edhe qeverisja lokale të shihet ndryshe prej qytetarëve, jo vetëm prej një qyteti ku vepron një zyrtar. Unë besoj që qeverisja lokale është një përvojë e jashtëzakonshme për një kandidat. Madje mund të themi që kandidatët që e synojnë qeverinë qendrore duhet patjetër të kalojnë nëpër nivelin lokal,” u shpreh Aliu në emisionin Adresa.
Ai shtoi se përvoja në komunë ndihmon në ndërtimin e përgjegjësisë politike, transparencës dhe aftësisë për të marrë vendime që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt një qeverisjeje më të mirë në nivel kombëtar./Periskopi/



