Osmani takohet me Papën: Shpresojmë për njohjen e shumëpritur nga Selia e Shenjtë

Osmani takohet me Papën: Shpresojmë për njohjen e shumëpritur nga Selia e Shenjtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim privat me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë, shkruan Periskopi.

Në këtë audiencë u diskutua për rolin e Kosovës si një shtet që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare, të mbështetur në përvojën historike të qëndresës dhe sakrificës.

Po ashtu, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve, ndërsa Presidentja Osmani shprehu shpresën që njohja formale e Republikës së Kosovës nga Selia e Shenjtë të ndodhë së shpejti, duke riafirmuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë historike mes dy palëve.

 

Postimi i plotë:

Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë.
Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë.
Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës.
Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën.

Shpërndaje në: