Rusia refuzon armëpushim për Krishtlindje
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje dhe jo një armëpushim të përkohshëm, kur u pyet nëse Moska zyrtare do të pranonte një armëpushim për Krishtlindje.
Ai ka theksuar se një armëpushim i tillë nuk shihet si zgjidhje e qëndrueshme, duke paralajmëruar se Rusia nuk është e gatshme të marrë pjesë në marrëveshje që, sipas tij, do të shërbenin vetëm si masa të përkohshme.
“Nëse Ukraina dëshiron të zëvendësojë një marrëveshje me ‘zgjidhje të përkohshme dhe të paqëndrueshme, nuk ka gjasa të jemi të gatshëm të marrim pjesë’”, ka deklaruar Peskov.
Duke folur për gazetarët, ai ka shtuar se një armëpushim do t’i jepte kohë Ukrainës për t’u përgatitur për vazhdimin e luftës.
“Ne duam paqe, nuk duam një armëpushim që do t’i jepte Ukrainës një pushim dhe do të përgatitej për vazhdimin e luftës”, është shprehur ai.
Sipas Peskovit, qëllimi i Moskës mbetet përfundimi i luftës dhe garantimi i interesave të saj afatgjata.
“Ne duam ta ndalojmë këtë luftë, të arrijmë qëllimet tona, të sigurojmë interesat tona dhe të garantojmë paqen në Evropë për të ardhmen”, ka shtuar ai.
I pyetur për diskutimet mes liderëve të SHBA-së dhe Evropës lidhur me garancitë e sigurisë për Ukrainën, Peskov ka deklaruar se Kremlini do të presë finalizimin e dokumenteve përpara se të japë një qëndrim.
“Nuk e kemi parë ende tekstin. Kur ta shohim, do ta analizojmë”, ka përfunduar ai.



