Rikthimi i VV-së në media, Haxhiu: Qytetarët po i shikojnë emisionet, na thanë s’po i shohim qëndrimet tuaja
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar pse vendosen t’iu kthehen mediave.
Haxhiu ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore VV-ja është përballur me sulme të vazhdueshme, përfshirë edhe shpifje personale, çka sipas saj ka ndikuar në vendimin për të kufizuar paraqitjet mediatike.
“Kam qenë në Prizren edhe kam parë e Glauku më herët ka dalur nga tubimi për shkak të emisionit që ka pasur dhe nuk kam pasur mundësi që ta ndjek. Ne nuk kemi pasur prezencë të mediave para zgjedhjeve të 9 shkurtit, pra gjatë periudhës së fushatës, sepse jemi përballur me sulme brutale, me shpifje të ndryshme. Për shembull unë dje një nga shpifjet që dëgjova në emision thonin që Albulena Haxhiu ka shkuar në fushatë me veturë zyrtare, kjo është shpifje. Po tash unë me fillu me i paditë për shpifje unë duhet të mbesë në gjykatë. Mendoj që në rregull janë kritikat, të gjitha kritikat që ne mund të na bëhen janë në rregull dhe janë normale në një vend demokratik. Por ama sulmet brutale, sulmet seksiste, mizogjene, shpifjet që bëhen kundër VV-së, lufta hibride do të thoja që e kemi pasur në vazhdimësi na ka bërë që të kemi prezencë më të vogël gjatë asaj kohe në media”, tha ajo për eo.
Haxhiu ka shtuar se pas kërkesave të vazhdueshme nga qytetarët për më shumë prezencë të VV-së në media, kryesia e partisë ka marrë një vendim të ri për t’u rikthyer në emisione dhe debate publike.
“Tashmë kemi një vendim tjetër të kryesisë, kemi diskutuar gjatë në raport me këtë. Sepse qytetarët e Kosovës na kanë thënë në vazhdimësi që po na duhet prezenca juaj në media. Duke qenë që ata po i shikojnë, dëgjojnë emisionet dhe nuk po e shohin qëndrimin e VV-së dhe natyrisht që e kanë të rëndësishme që ta dëgjojnë apo që ta shohin atë. Ne vlerësojmë që tashmë është e duhur që të jemi të pranishëm në media. Unë sa kam qenë ministre e drejtësisë kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me mediat, nuk ka pasur as një raste, 98 për qind të rasteve që janë drejtuar për qasje në dokumente, pyetje drejtuara ministrisë ne i kemi adresuar, vetëm 2 për qind që nuk kanë qenë në përputhje me ligjin ne nuk e kemi mundësuar”, tha ajo.
Ajo ka theksuar se mungesa e prezencës nuk ka qenë bojkot i mediave, por një vendim i përkohshëm i partisë, i cili tashmë është tejkaluar.
“Sa herë jam ftuar në emisione jam përpjekur që të marr pjesë. Pra nuk është që VV-ja nuk ka raport të mirë me mediat, çështja është që ne kemi pasur një vendim që të mos kemi prezencë në media asaj kohe por as një herë nuk e kemi bojkotuar mediat. Prandaj kjo situatë gjatë kësaj kohe do të jetë ndryshe, ju e keni parë që secili prej përfaqësuesve në secilin emision në fakt po ka prezencë të VV-së dhe besoj që ky është vendim i drejtë”, tha ajo.



