Dështon seanca për vjedhje të kaçkavallit dhe proshutës

Dështon seanca për vjedhje të kaçkavallit dhe proshutës

Në mungesë të palëve në procedurë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit A.K., për vjedhje të tri paketimeve me kaçkavall dhe katër paketimeve me përshutë në një market në Prishtinë.

Gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti, në seancën e të mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, konstatoi se askush nga palët nuk është prezent në seancë, ani pse, siç tha, palët kanë qenë të njoftuara për këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prokurori shtetit ka qenë i njoftuar për seancën e sotme dhe atë përmes procesverbalit me datë 26.11.2025, i njëjti nuk prezanton në seancë dhe mungesën nuk e ka arsyetuar. Mungon i dëmtuari për të cilin gjykata ka dëshmi se është njoftuar në kohë dhe mënyrë të rregullt, gjë që vërtetohet nga fletëftesa për dorëzim personal. Ndërkaq, për të pandehurin A.K., gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim, ndërkaq stacioni policor qendra në Prishtinë e ka njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës deri më datën 15 gusht 2026”, tha ai.

Për të akuzuarin A.K., gjyqtari Ahmeti tha se Gjykata do të marrë veprimet e nevojshme për sjelljen e tij në seancë, marrë parasysh se i njëjti është në burg.

Ndërkaq, për prokurorin e shtetit, tha se do të ndërmerren po ashtu veprimet e nevojshme ligjore. E për palën e dmtuar, u tha se do të ftohet edhe një herë në seancë me ftesë të rregullt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që mban datën 26 korrik 2024, i pandehuri A.K., akuzohet se më 2 qershor 2024, në një market në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, merr pasurinë e personit tjetër- marketit, në atë mënyrë që i akuzuari kishte shkuar në maket ku kishte marrë tri paketime me kaçkavall dhe katër paketime me përshutë, me ç’ rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.

I akuzuari A.K., sipas aktakuzës, në deklaratën e dhënë në Polici në tërësi ka pranuar kryerjen e veprës penale që i ngarkohet.

Për këto veprime, A.K., ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Vjedhja” nga neni 313, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

*Fotografia ilustrim

Shpërndaje në: