Vrasja e dy policëve në Podujevë- Apeli liron nga akuza Alban Dezdarin, vërteton vendimin e Themelores

Vrasja e dy policëve në Podujevë- Apeli liron nga akuza Alban Dezdarin, vërteton vendimin e Themelores

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pikën I dhe II- pjesën liruese ndaj të akuzuarve Bedri Kraniqi dhe Alban Dezdari lidhur me akuzën për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë. Ndërkaq është ndryshuar aktgjykimi sa i përket pikës III, duke liruar kështu Alban Dezdarin nga akuza për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Bedri Krasniqit lidhur me akuzën për “Vrasje të rëndë në bashkëkryerje” dhe “Vrasje të rëndë në tentativë, në bashkëkryerje”, kurse Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimi të Apelit të marrë më 17 dhjetor 2025, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte ushtruar Prokuroria Speciale, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe për shkak të shkeljes se Ligjit Penal. PSRK kishte propozuar që Apeli ta prish aktgjykimin e Themelores sa i përket pjesës liruese dhe që dy të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, apo që lëndën ta kthejë në rivendosje.

Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj, ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që Apeli të anulojë aktgjykimin e ankimuar, dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza, me arsyetimin se nuk ka prova nga të cilat vërtetohet që Dezdari të ketë kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor.

 

 

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes me parashtresës ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e PSRK-së dhe të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar sa i përket pjesës liruese dhe të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari- të
shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave të KPRK-së, apo aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe lënda për këtë pikë të kthehet në rigjykim. Ndërsa, ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Dezdari, të refuzohet si e pabazuar.

Kolegji penal i Gjykatës së Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, siç pretendon në ankesë Prokuroria Speciale sa i përket pikës I. dhe II. të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, në pjesën liruese për dy të akuzuarit, për “Vrasje të rëndë në bashkëkryerje” dhe “Vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje”.

Apeli vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye në raport me të gjitha provat që janë administruar, duke arsyetuar konkretisht se cilave prova ua ka falë besimin dhe cilave jo, në raport me faktet e çështjes penale.

“… edhe Gjykata e Apelit vlerëson se arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë janë të drejta dhe qojnë në konkludimin që ka nxjerr gjykata e shkallës së parë, se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar”, thuhet në vendim.

Apeli nuk e gjen të bazuar pretendimin e Prokurorisë se Themelorja nuk ua ka falur besimin provave që janë administruar në shqyrtim gjyqësor.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe se në këtë drejtim asnjë fakt nuk ka ngelur në mëdyshje sikurse pa të drejtë pretendohet në ankesën e ushtruar nga Prokuroria.

Aty thuhet se Prokuroria Speciale aktakuzën ndaj Krasniqit dhe Dezdarit e ngriti duke u mbështetur në deklaratën e Shkumbin Mehmetit.

“Kolegji vëren se dëshmitari Sh.M është person i dënuar si kryes i veprës penale në lidhje me ngjarjen e datës me 23 mars 2004 kur ishte sulmuar një patrollë e Policisë së UNMIK-ut, me ç’rast kishin vdekur policët P.E dhe A.Rr, dhe ky dëshmitar kishte dhënë disa dëshmi kontradiktore në lidhje me Bedri Krasniqin”, thuhet në vendim.

Në lidhje me të akuzuarin Bedri Krasniqi, Apeli thekson se këto deklarime nuk përputhen më asnjë provë tjetër, qoftë materiale ose personale. As provat e administruara nga Themelorja në shqyrtim gjyqësor, thuhet se nuk e ndërlidhin qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi Krasniqi si kryerës të veprës penale.

“Pothuajse të gjitha provat e propozuara nga prokurori dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nga gjykata shkallës së parë, janë prova të cilat janë administruar në procesin gjyqësor të vitit 2006, i cili proces është përmbyllur me aktgjykim në nëntor të vitit 2007, kur tani dëshmitari Sh.M ishte shpallur fajtor dhe këto prova as në atë kohë në procesin e parë e as në procesin gjyqësor të tanishëm nuk e kanë implikuar të akuzuarin Bedri Krasniqi, qofshin ato masa të fshehta të përgjimit të telekomunikimeve qofshin ato edhe dëshmitë e dëshmitareve”, thuhet në vendim.

Po ashtu, Apeli pajtohet me konstatimin e gjykatës së shkallës së parë se përgjimet që ishin pjesë e provave të propozuara dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor, nuk e inkriminojnë të akuzuarin Krasniqi, përkundrazi ato vërtetojnë pafajësinë e tij lidhur me këtë rast, si dhe forcojnë alibinë e tij se i njëjti ditën e krimit kishte qenë në protestë në Deçan, pasi në bazë të përgjimeve mund të vërtetohet se ka qenë i interesuar për pjesëmarrje sepse e kishte pyetur A.M., (i dyshuar atëkohë) se a do të ketë protestë.

Apeli pajtohet edhe me vlerësimin e Themelores se dëshmia e dëshmitarit G.K (polic) nuk ka vlerë provuese në drejtim të kryerjes së veprës penale nga të akuzuarit, pasi që ajo më shumë bazohet në intuitën hetuese të të njëjtit, i cili ka theksuar se ka qenë duke e hetuar të pandehurin Bedri për një rast tjetër dhe se gjatë përgjimeve e ka njohur zërin e Bedri Krasniqit.

Gjithashtu, thuhet se provat e administruara në procesin gjyqësor si masat e fshehta teknike të përgjimit dhe hetimit,
nuk e implikojnë të akuzuarin Alban Dezdari si kryerës të krimit, ngase nuk është subjekt i këtyre përgjimeve, pra nuk përmendet fare.

“Asnjë nga dëshmitarët që ishin prezent në skenën e krimit si B.M, R.M, M.M, Sh.R, Xh.F, nuk kanë mundur të identifikojnë Bedri Krasniqin e as Alban Dezdarin si kryes të krimit, dhe as policët të cilët ishin në ndjekje të kryesve të veprës penale”, arsyeton Apeli.

Më tej, thuhet se dëshmitari Mehmeti në shqyrtimin gjyqësor të datës 15 maj 2023 kishte përshkruar edhe një herë ngjarjen duke potencuar se të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari nuk ishin në skenën e krimit ditën kritike pra me datën 23 mars 2004, rrjedhimisht nuk ishin pjesëmarrës, ndërsa arsyeja se pse i ka implikuar në rast kishte qenë sipas tij “pasi që i është premtuar nga ana e prokurorit ndërkombëtar se atij do ti zbutet dënimi”.

“…këtë e kishe bërë edhe për disa arsye tjera, duke potencuar se Alban Dezdari si nip i I. dhe Q.K, ku dëshmitari kishte akuzuar këta dy të fundit si përgjegjës për atë çfarë i kishte ndodhur dëshmitarit, i kishte portretizuar si persona kyç të organizimit të aktiviteteve kriminale dhe ashtu siç është shprehur ka dashur që me inkriminimin e Alban Dezdarit dhe mbajtjen e tij në burg “me ja pre krahët këtij grupi”, siç është shprehur dëshmitari. Po ashtu, në lidhje me inkriminimin e të akuzuarit Bedri Krasniqi ishte shprehur se e kishte bërë pasi që i njëjti nuk kishte bashkëpunuar për ti zbuluar shumë krime tjera që kanë ndodhur në Kosovë dhe se vetëm pasi që është refuzuar kërkesa e tij nga Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të flas të vërtetën”, theksohet në vendim.

Sipas Apelit, është i drejtë përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se pas administrimit të gjithave provave në këtë çështje penale nuk është vërtetuar se të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari kanë kryer veprat penale që ngarkohen në aktakuzë, andaj në mungesë të provave të njëjtit më të drejtë edhe janë liruar nga akuza.

Shkalla e dytë thotë se me asnjë provë nuk është provuar se ditën kritike të akuzuarit të kenë qëlluar me armë dhe t’i kenë privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut dhe  zyrtarin policor të Kosovës.

Sa i përket të akuzuarit Alban Dezdari, Apeli gjen se i akuzuari nuk mund të shpallet fajtor për “Ndihmë në kryerjen e  veprës penale vrase”, meqenëse nuk ka qenë kurrë i akuzuar nga Prokuroria se ka kryer këtë vepër penale për të cilën është shpallë fajtor.

“Gjykata shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar ka konstatuar se ka ardhë në përfundim se Alban Dezdari duke qenë i vetëdijshëm se armët që i ka transportuar me kërkesë të dajës së tij kanë pasur për qëllim që të përdorën me rastin e trazirave të datës 17 Mars 2004, kanë pasur apo kanë mundur të shkaktojnë dëm në njerëz dhe po ato armë janë përdorur me rastin e privimit nga jeta të P.E- zyrtar policor i UNMIK-ut dhe A.Rr- zyrtar policor i Kosovës me datë 23 Mars 2004”, thuhet në vendim.

Shkalla e dytë thotë se e ka parasysh faktin se Alban Dezdari ka deklaruar që ka transportuar armë në Mitrovicë më 17 mars 2004, por me asnjë provë nuk është vërtetuar se ato armë janë përdorur më 23 mars 2004, apo që Albani t’i ketë transportuar ato armë më qëllim që të përdoren atë ditë.

“Kolegji Penal i Gjykatës se Apelit rikujton se Gjykata nuk mund të ndërtoj akuzë tërësisht të re ndaj të akuzuarit, nëse Prokurori nuk akuzon. Pra, gjykata konform dispozitës se nenit 359 të KPPK-së, duhet të qëndroj brenda obligimit të kësaj dispozite ligjore ku aktgjykimi duhet ti referohet të akuzuarit dhe veprës penale që është objekt i akuzës (identitetin subjektiv dhe objektiv)”, thuhet tutje.

Apeli thekson se Gjykata mund të bëjë rikualifikim të ndonjë vepre penale në kuadër të veprës për të cilën ngarkohet i akuzuari, mund të nxjerr ndonjë provë për të vërtetuar drejt gjendjen faktike, por nuk mund të ndërtojë përshkrim faktik dhe vepër të re penale për të cilën Prokuroria nuk akuzon.

“Për këtë arsye, duke pas parasysh se në rastin konkret nuk kemi aktakuzë për ndonjë vepër penale që elementet e saj përmbushen me veprimet inkriminuese të akuzuarit Alban Dezdari, Gjykata e Apelit të njëjtin e ka liruar nga kjo akuzë (përshkrim faktik) e ndërtuar nga gjykata shkallës së parë për ndihmë në kryerjen e veprës penale, Vrasje nga neni 30 par.2, nënpar.2 dhe 6, dhe neni 24 të Ligjit Penal të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK-së), për të cilën është shpallur fajtor me aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.

 

Shpërndaje në: