Një vit burgim me kusht dhe një mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për posedim të narkotikut
Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe një mijë euro gjobë të akuzuarin për narkotik D.R.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjyqtari Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit D.R., iu shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej një viti, ndërsa ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale. Të njejtit, Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej një mijë euro.
Gjykata urdhëroi konfiskimin e narkotikut të llojit marihuanë me peshë 3.62 gramë.
Lidhur me shpenzimet procedurale, i akuzuari D.R., u obligua që për paushallin gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të Kompensimit të Viktimave të Krimit shumën prej 50 euro.
Gjyqtari Kamberi njoftoi se lidhur me vendimin palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, i akuzuari D.R në seancën e 17 dhjetorit 2025 e ka pranuar fajësinë.
Bashkë me D.R., akuzohen edhe A.K., dhe G.S., mirëpo meqenëse ata u deklaruan të pafajshëm për shitblerje të narkotikëve, ndërkaq D.R., pranoi fajësinë, për të u veçua procedura.
Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 26 nëntor 2025, A.K., dhe G.S., akuzohen se më 24 qershor 2025, pasi Policia e Kosovës kishte marrë informata se dy të pandehurit janë duke u marrë me shitblerje të narkotikëve, pas dajles në terren në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës në veturën që e drejtonte i akuzuari D.R., i gjenden substancë narkotike e tipit marihuanë prej 3.62 gramë, për të cilën kishte deklaruar se e ka blerë nga A.K., dhe G.S.
Tutje, thuhet se të pandehurve S., dhe K., hetuesit policorë gjatë kontrollit i gjetën susbtanca narkotike prej 1.9 gram dhe një sasi tjetër prej 1.19 gram, një peshore elektronike dhe gjashtë paketime të letrës që kishin shërbyer për kontrollin e lagështisë së susbtancës narkotike.
Prandaj me këto veprime G.S., dhe A.K., po ngarkohen me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 31 I Kodit Penal.
Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, D.R., akuzohej që më 24 qershor 2025 në fshatin Hajvali, gjatë kontrollit i gjendet në posedim susbtanca narkotike në peshë prej 3.62 gramë, e mbështjellë me folje.
Me këto veprime, D.R., ngarkohej me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/



