Policia del me detaje të reja për aksionin antikorrupsion: 7 të arrestuar, sekuestrim parash, armësh e pajisjesh elektronike

Policia del me detaje të reja për aksionin antikorrupsion: 7 të arrestuar, sekuestrim parash, armësh e pajisjesh elektronike

Policia e Kosovës ka publikuar raportin zyrtar për aksionin e djeshëm antikorrupsion, duke dhënë detaje të reja rreth kapjes në flagrancë të një grupi të dyshuar për korrupsion, ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas raportit të sotëm, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka kapur në flagrancë tre persona gjatë shkëmbimit të 9,900 eurove, që dyshohet të kenë qenë pjesë e marrëveshjes së tyre për ndarjen e ryshfetit.

Pas këtij momenti, në koordinim me Prokurorinë, policia kreu kontroll në pesë lokacione të ndryshme, ku u sekuestruan: para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një laptop, dokumente të ndryshme, si dhe armë dhe municion, të gjetura në njërin prej lokacioneve.

Në total, shtatë persona janë arrestuar, gjashtë meshkuj dhe një femër, të gjithë shtetas të Kosovës. Të dyshuarit janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

 

 

Të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash penale, përfshirë: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se aksioni është rezultat i një periudhe hetimesh me masa të veçanta, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, pajisje elektronike dhe tri vetura.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mes të dyshuarve ka zyrtarë të lartë publikë, duke përfshirë: kryetarin e Degës së Gjykatës së Graçanicës, zyrtarë nga avokatura, ekspert gjyqësor, zyrtarë të Administratës Tatimore, zyrtar në Departamentin e Shpronësimeve, si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Fadil Ismailin.

Sipas ministrit, grupi dyshohet se ka vepruar në mënyrë të organizuar kriminale, duke inicuar dhe deponuar lëndë për kompensime të paligjshme në Gjykatën e Graçanicës, me qëllim përfitimin e fondeve publike përmes shpronësimeve të viteve 2011–2015.

Të shtatë të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Policia dhe institucionet tjera përgjegjëse e kanë cilësuar këtë si një tjetër goditje të rëndësishme kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare në vend.

U kapën në flagrancë – krejt çka dihet për aksionin që çoi në arrestimin e gjashtë zyrtarëve shtetëror

Shpërndaje në: