Flet kryeministri i Bahamas pas njohjes së Kosovës

Flet kryeministri i Bahamas pas njohjes së Kosovës

Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, në një deklarim për media me presidenten Vjosa Osmani, është shprehur i bindur se njohja e Kosovës nga ky shtet, është fillesa e një marrëdhënie që ata synojnë ta forcojnë vazhdimisht.

Davis, është shprehur edhe se, rëndësia e njohjes dëshmohet edhe nga fakti se Osmani ka nënshkruar dokumentin në Bahamas, gjë e cila ka thënë ai, ka domethënie të veçantë për ta.

‘‘Më lejoni ta filloj duke përshëndetur praninë e mediave tona vendore, si dhe të atyre që ju kanë shoqëruar, President Osmani. Mendoj se rëndësia e këtij momenti dëshmohet nga fakti që ju, si Presidente e Kosovës, e keni parë të arsyeshme të na nderoni me praninë tuaj për të nënshkruar dokumentin e njohjes këtu në Bahamas. Kjo ka një domethënie të veçantë për ne, që ju keni ndarë kohë nga orari juaj i ngarkuar për të udhëtuar në Bahamas dhe për ta çuar deri në fund këtë proces. Nuk ka dyshim se kjo është fillesa e një marrëdhënieje që ne do të synojmë ta forcojmë vazhdimisht. Ka shumë aspekte bashkëpunimi që do t’i ndjekim, veçanërisht në një botë ku ka kaq shumë sfida gjeopolitike që na prekin të gjithëve, e sidomos duke pasur parasysh të gjitha sfidat që Kosova ka kaluar ndër shekuj, nëse mund të shprehem kështu’’, ka deklaruar kryeministri i Bahamas.

Tutje, ai ka deklaruar edhe se, është mirë që do të ndahen vlerat, përvojat e përbashkëta dhe do të përdorën ato për të përmirësuar jetën e qytetarëve të te dy vendeve.

‘’Është mirë të mund t’i ndajmë dhe t’i kuptojmë vlerat tona, përvojat tona, dhe t’i përdorim ato për të parë se si mund t’ua përmirësojmë jetën qytetarëve tanë. Nuk kam asnjë dyshim se këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen’’, ka shtuar më tej ai.

Në fund, Davis ka thënë se ky moment është historik për të dy vendet, dhe se, ai pritet të vijë në Kosovë gjatë vitit tjetër.

‘‘Mirë se vini në Bahamas. E kemi shënuar ftesën për pjesëmarrjen time dhe besoj se do të mund ta realizojmë atë diku gjatë vitit të ri. Kemi një ngjarje të rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm, por mendoj se me besim mund të themi se do të shihemi vitin tjetër. Mirë se vini edhe një herë. Ky është pa dyshim një moment historik për të dy vendet dhe për popujt tanë. Në Bahamas, ju mund të mbështeteni dhe të jeni të sigurt se keni një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm, i cili do të sigurojë që ne të ndjekim politika që promovojnë paqen dhe që ndërtojnë jetën tonë të përbashkët. Dua t’ju falënderoj që e keni pranuar njohjen tonë dhe që keni gjetur kohë të vini në Bahamas për ta formalizuar këtë njohje’’, ka thënë ai.

Shpërndaje në: