Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim 30-ditor për të dyshuarin për zjarrvënie në Ratkoc

Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim 30-ditor për të dyshuarin për zjarrvënie në Ratkoc

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet H.H., nën dyshimin për veprën penale të “Zjarrvënies”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të pandehurit është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, pasi ekziston dyshim i bazuar se më 21 dhjetor 2025, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Komunës së Rahovecit, ai ka kryer disa veprime të njëpasnjëshme të zjarrvënies me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personave të tjerë.

Dyshohet se fillimisht i pandehuri i ka vënë zjarrin objektit përcjellës të shtëpisë së të dëmtuarit R.H., ku janë dëmtuar mjete pune, goma të veturës, karrige dhe gjësende të tjera. Më pas, në përpjekje për t’iu shmangur patrullës policore, ai dyshohet se ka ndezur mjete piroteknike dhe ka vazhduar veprimet e tij në lokacione të tjera.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, i dyshuari ka shkaktuar zjarr të përmasave të mëdha në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Ratkoc, ku është djegur një autoambulancë dhe është dëmtuar pjesa ballore e objektit.

Në vazhdim, i pandehuri dyshohet se i ka vënë zjarrin edhe masës drusore në oborrin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në Ratkoc, zjarr i cili është ndalur nga zyrtarët policorë në bashkëpunim me qytetarët.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga data 21 dhjetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa vendimi për paraburgimin pritet të merret nga gjykata./Periskopi/

Shpërndaje në: