Protesta e opozitës në Tiranë, arrestohen katër persona
Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë nga policia, pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e të hënës në Tiranë.
Që pas përfundimit të protestës, policia shoqëroi disa persona, pasi në fund të u hodhën molotovë e mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa u tentua që të kalohej kordoni i policisë në rrethim të godinës duke u përplasur edhe me forcat e rendit.
Policia njoftoi se si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar dy efektivë. Pas shoqërimeve në komisariat, shkuan dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, që kërkuan të sqarojnë mbi rrethanet se përse u shoqëruan protestuesit.
Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.
Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare, shkruan A2. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike.



