Kandidati i LDK për kryeministër, Lumir Abdixhiku sot ka takuar mësimdhënësit, para të cilëve u zotua se paga e tyre do të bëhet 1 mijë euro.
Mes tjerash, Abdixhiku premtoi edhe ndërtimin e 80 çerdheve të reja, mësim tërëditor dhe futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë në shkolla.
“LDK dhe ekipi ynë janë të vetmit që kanë sot arsimin si prioritet. Me shembuj konkret nga Prishtina; me model për gjitjë Kosovën”, shkroi Abdixhku mes tjerash
Postimi i plotë:
Për mësimdhënësit dhe mësimin.
Takuam mësimdhënësit. Ata që mbajnë mbi supe barrën më të rëndë të këtij vendi: edukimin e brezave të rinj. Ata që, edhe kur janë nënvlerësuar, të lodhur e shpesh të lënë pas dore nga politika, nuk e kanë lëshuar kurrë misionin e tyre. Sepse shkolla nuk është thjesht një ndërtesë, por vendi ku formohet karakteri, dija dhe e ardhmja e Kosovës.
Prandaj, zotimet tona për arsimin janë të qarta dhe të panegociueshme.

Pagë 1000 euro për secilin mësimdhënës, si respekt real për profesionin dhe dinjitetin e tyre.

Ndërtimin e 80 çerdheve të reja, që fëmijët të kenë fillimin e duhur dhe prindërit mbështetjen që u mungon sot.

Mësimin tërëditor, për shkollë më cilësore, për barazi më të madhe dhe për zhvillim të plotë të nxënësve. Shujta të ngrohta; sport e 8 orë në shkollë.

Dhe futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë në shkolla, sepse Kosova nuk duhet të përgatitet për të djeshmen, por për botën e së nesërmes.
Arsimi është themeli.
Dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë.
LDK dhe ekipi ynë janë të vetmit që kanë sot arsimin si prioritet. Me shembuj konkret nga Prishtina; me model për gjitjë Kosovën.
