Nesër i jepet lamtumira e fundit Jahja Mustafës, babait të Calit

Nesër i jepet lamtumira e fundit Jahja Mustafës, babait të Calit

Ceremonia e varrimit të Jahja Mustafës, babait të Salih Mustafës, do të mbahet nesër, në orën 12:00, në fshatin Rimanishtë të Prishtinës.

Jahja Mustafa ka ndërruar jetë mëngjesin e së enjtes, pas disa ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar për vdekjen e babait të Salih Mustafës, të cilin gjatë kohës që ishte i sëmurë Mustafa nuk pati leje ta vizitojë.

“OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit”.

 

 

Sipas kësaj organizate vendimi i Speciale përbën shkelje të rëndë të parimeve themlore të të drejtave të njeriut.

“Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor.  Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar”.

OVL e UÇK-së i shpreh ngushëllime familjarëve.

“Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja”.

Shpërndaje në: