Frank Leboeuf: Mbappe nuk mund të krahasohet me Zidanen për futbollin francez

Frank Leboeuf: Mbappe nuk mund të krahasohet me Zidanen për futbollin francez

Në një intervistë me Goal, fituesi i Kupës së Botës në vitin 1998, Frank Leboeuf, vlerësoi vendin e Kylian Mbappe në historinë e futbollit francez, duke këmbëngulur se ylli i Real Madridit “nuk mund të krahasohet” me Zinedine Zidane.

Mbappe po katapultohet çdo ditë si një legjendë e Francës, por për një emër të njohur si Lebouf, sulmuesi i Real Madridit është ende larg nivelit apo vendit të Zidane.

“Absolutisht jo. Ai nuk mund të krahasohet. Është e vështirë të krahasosh karrierat dhe kohët gjithashtu. Por ajo që Zizou është i aftë të bëjë, përveç të qenit një lojtar i shkëlqyer, mënyra se si u soll – edhe nëse kishte gabimet e vitit 2006 – njerëzit e duan atë”, ka thënë fillimisht Leboeuf, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Ai shtoi se ndërsa Mbappe është një golashënues i jashtëzakonshëm dhe lojtar i zgjuar, polemikat në jetën e tij private kanë ndikuar në reputacionin e tij në Francë.

“Ai kurrë nuk do ta arrijë aty ku është Zidane, dhe ndoshta askush nuk do ta arrijë. Michel Platini, si në atë kohë dhe Raymond Kopa para tij, ata lojtarë janë ikona. Vetëm në fund të karrierës së tij do të shohim nëse Mbappe mund të vihet në të njëjtin nivel”.

Leboeuf vlerësoi aftësinë e Mbappes në përfundimin e aksioneve dhe kontributet e tij te Real Madridi, por gjithashtu e sfidoi 27-vjeçarin të bënte më shumë në mbrojtje.

“Unë ende kam nevojë të shoh prej tij, pak më shumë – kur humbet topin, për shembull, të tërhiqet pak, vetëm pak dhe të tregojë se ai dëshiron t’i ndihmojë shokët e tij të ekipit. Në kohët moderne, gjithçka ka të bëjë me statistikat, sa gola shënon, sa pasime ke bërë, sa vrapime bën, dhe për mua Kylian Mbappe është shembulli më i mirë i asaj që është futbolli modern tani”, përfundoi francezi./Periskopi

Shpërndaje në: