Rehatia personale kundër interesit publik

Rehatia personale kundër interesit publik

Politika për mua nuk është ambicie personale.

Shkruan: Arianit Koci

Do ta pranoja si përgjegjësi vetëm në rrethana kur shteti dhe shoqëria janë në buzë të shkatërrimit.

Sot, këto rrethana po bëhen të dukshme çdo ditë: paga nuk mjafton për një jetë dinjitoze, të rinjtë humbin shpresën për të ardhmen dhe shteti dështon ta mbrojë qytetarin.

Në një situatë të tillë, tërheqja në rehati personale nuk është neutralitet.

Është shmangie nga përgjegjësia.

Dhe pikërisht kjo shmangie është ajo që sot shpërblehet në politikën tonë.

Kur një sjellje shpërblehet në politikë, ajo shndërrohet shpejt në model sjelljeje për shoqërinë.

Në këtë logjikë, te ne vlerësohet ai që nuk prishet me askënd; ai që i nënshtrohet liderit, që është i dëgjueshëm, që nuk e problematizon vendimmarrjen dhe që, në heshtje, i arrin qëllimet e veta individuale.

Kingji i butë i thithë dy nana.

Kjo sintagmë nuk përshkruan vetëm një model politik. Me kalimin e kohës, ajo është shndërruar edhe në model shoqëror. Edhe qytetari, sado i pakënaqur të jetë, rrallë reagon. Nuk proteston, nuk kërkon llogari dhe nuk e sfidon gjendjen. Përkundrazi, pajtohet me realitetin, edhe kur e ka keq.

Një nënshtrim i tillë i heshtur e bën sistemin të qëndrueshëm në pamje, por e mban shoqërinë të paralizuar në thelb. Pikërisht në këtë klimë të mosreagimit shoqëror krijohet terren i përshtatshëm për keqpërdorim të pushtetit, në dëm të interesit qytetar dhe në funksion të ruajtjes së pozicioneve politike.

Si pasojë, ruajtja e raporteve merr përparësi ndaj interesit publik. Vendimet shtyhen, përgjegjësia shmanget dhe mosveprimi trajtohet si normalitet.

Ky keqpërdorim nuk ndodh në vakum. Ai mbështetet dhe justifikohet përmes një kulture politike që shpesh e quan mosveprimin “konsensus”.

Kjo nuk buron nga konsensusi si vlerë shoqërore. Kosova është shoqëri e ndërtuar mbi pajtim dhe kjo, në vetvete, është vlerë. Problemi lind atëherë kur kjo frymë keqpërdoret si justifikim për mosvendimmarrje dhe për shmangie të përgjegjësisë.

Prandaj, çështja nuk është të jesh pro apo kundër konsensusit, por të dish si dhe kur ta përdorësh atë.

Lidershipi i vërtetë qëndron pikërisht këtu: në aftësinë për të dalluar momentet kur duhet konsensus dhe momentet kur duhet drejtim.

Një lider duhet të dijë të ndërtojë konsensus me shoqërinë, të jetë faktor uniteti dhe të mobilizojë shoqërinë — pozitë e opozitë — kur në pyetje është interesi shoqëror dhe e ardhmja e vendit.

Ka momente kur shoqëria duhet dëgjuar. Ka edhe momente kur ajo duhet udhëhequr.

Vendimet jopopullore, por të domosdoshme për zhvillim, janë prova e vetme e udhëheqjes reale.

Në fund të fundit, qeverisja matet me rezultate konkrete: arsim funksional, shëndetësi që punon, rrymë dhe ujë të qëndrueshëm, kanalizim dinjitoz — bashkë me politika serioze për frenimin e inflacionit dhe stimulimin e ekonomisë.

Pasojat e mungesës së këtij modeli i shohim çdo ditë. Edhe 25 vite pas luftës, mungon fondi i sigurimit shëndetësor, mungon sigurimi shëndetësor privat i mirëfilltë dhe mungojnë pensionet dinjitoze.

Kjo reflektohet drejtpërdrejt në tregun e punës: shkalla e punësimit mbetet vetëm 38.6%, me nivele veçanërisht alarmuese te gratë (19.8%) dhe te të rinjtë (11.6%).

Në të njëjtën kohë, pabarazia e të ardhurave është e thellë: 20% më i pasur posedon gati 50% të të ardhurave, ndërsa 20% më i varfër vetëm rreth 5%.

Rrjedhimisht, mungon një klasë e mesme e qëndrueshme. Pa klasë të mesme, shteti dobësohet dhe qytetari mbetet i pambrojtur.

Në këto rrethana, korrigjimet e vogla nuk mjaftojnë. Nevojitet një mini-revolucion institucional dhe politik: ndërhyrje të thella, vendime të rënda dhe prishje e ekuilibrave të rremë, të shoqëruara me mobilizim shoqëror rreth interesit të përbashkët.

Prandaj, kyçja ime në politikë do të ndodhë vetëm nëse bindem se mund të ndikoj realisht për të mirë — për të bërë ndryshime konkrete, ndoshta të vështira e jopopullore, por të domosdoshme.

Shpërndaje në: