Pal Lekaj pranon një video-mesazh nga Haradinaj: Nder i madh të garoj në listën që ju ka juve në krye
Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, ka njoftuar se ka pranuar një mesazh mbështetës nga lideri i partisë, Ramush Haradinaj.
Lekaj tha se mesazhi i Haradinajt i jep forcë në betejën për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai falënderoi liderin për miqësinë e gjatë dhe theksoi se është nder i madh të garojë në listën e AAK-së nën drejtimin e tij.
“Në këto orë të fundit të fushatës, ky mesazh nga lideri e miku im Ramush Haradinaj më jep forcë edhe më të madhe para së dielës. Kryetar, faleminderit nga zemra për gjithë miqësinë për gati tre dekada. Është nder i madh i imi të garoj në listën që ju ka juve në krye. Gjithmonë, me Aleancën, për projektet e mëdha që na presin për Kosovën. Na priftë e mbara krah njëri-tjetrit!”, shkroi Lekaj.
Në video, Ramush Haradinaj dëgjohet duke thënë se me Pal Lekajn është njohur në kohë të vështira, gjatë luftës, kur ai si mjek u kujdes për vëllain e tij, Shkëlzenin, dhe për ushtarë të tjerë të plagosur.
Haradinaj ka vlerësuar punën e Lekajt si kryetar komune dhe ministër në qeverinë e tij, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i besojnë votën.
Pal Lekaj në këto zgjedhje mban numrin 7 në listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.



