Zgjedhjet parlamentare, çka nëse votojmë më shumë se 10 kandidatë për deputetë?

Zgjedhjet parlamentare, çka nëse votojmë më shumë se 10 kandidatë për deputetë?

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, të dielën e 28 dhjetorit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme.

Ligji nr. 08/l-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por, çfarë duhet të dinë qytetarët para se t’i drejtohen kutive të votimit?

Neni 110 i Ligjit bën të ditur se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe se secili subjekt politik i certifikuar paraqitet në votim me “listë të hapur”.

Votuesi pajiset me një fletëvotim të vetëm për zgjedhje dhe në të shënjon: votën për një subjekt politik dhe votën për një deri në dhjetë kandidatë nga lista e subjektit politik për të cilin ka votuar votuesi.

Por, çka ndodh nëse në fletëvotim shënohen më shumë se 10 kandidatë?

Pika 5, në nenin 110 në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon qartë se nëse një fletëvotim shënohen më shumë se dhjetë kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik.

Cilat dokumente mund t’i keni me vete për të votuar?

Shtetasi me të drejtë vote brenda vendit dhe në përfaqësi diplomatike, mund të votojë nëse ai ose ajo identifikohet saktësisht në Listën e Votuesve dhe ofron njërin prej dokumenteve të vlefshme të identifikimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftimin, pasaportën, lejen e vozitjes.

Ndërkaq, neni 89 i Ligjit përcakton po ashtu të drejtën e votës dhe siguron fshehtësinë.

Votuesi më të drejtë për të votuar ka të drejtë vote nëse ai/ajo është i regjistruar në Kosovë ose ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës siç përcaktohet në nenet 6 dhe 7 të këtij ligji.

Ligji garanton se askush nuk e parandalon ose orvatet të parandalojë një votues me të drejtë për të votuar nga ushtrimi i së drejtës së tij/saj për të votuar.

Po ashtu, askush nuk lejohet të votojë në emër të një votuesi tjetër, përveç përmbushjes së rrethanave nga paragrafi 5 i këtij neni.

Pika e 4-të e këtij neni përcakton se secili votues e plotëson fletëvotimin e vet në fshehtësi mbrapa kabinës së votimit, ndërkaq vetëm një person lejohet mbrapa kabinës së votimit gjatë një intervali të caktuar kohor përveç nëse votuesi ka kërkuar ndihmë nga personi tjetër, siç përcaktohet në paragrafin 5 të këtij neni.

Votuesi i cili është me aftësi të kufizuara në atë mënyrë që nuk është në gjendje të shënojë ose hedh fletëvotimin, mund të ndihmohet nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi, me kusht që personi që ndihmon është votues në qendrën e njëjtë të votimit me votuesin. Personi i tillë e ndihmon vetëm një votues dhe nuk është anëtar i KVV-së ose vëzhgues i akredituar, përjashtimisht për anëtarët e ngushtë të familjes. Për këtë lloj të votimit, KQZ do t’i caktojë kriteret me rregullën zgjedhore.

Kryesuesi i Këshillit të vendvotimit obligohet që të shënojë në librin e votimit, rastet e votimit me asistencë, duke përfshirë arsyet konkrete dhe të shënojë të dhënat personale të votuesit dhe të dhënat personale të personit që ka ndihmuar.

Personi i miratuar për të ndihmuar votuesin shkruan dhe nënshkruan emrin e tij/saj në Listën e duhur të Votuesve ose Zarfin për Fletëvotim me Kusht, afër emrit ose një hapësire tjetër të ofruar nga votuesi i cili është ndihmuar dhe arsyen e votimit me kusht.

Anëtarët e KVV-së nuk mund në asnjë mënyrë të ndikojnë në vendimin e votuesit, por anëtarët e Këshillit të Vendvotimit dhe/ose stafi i Vendvotimit shpjegojnë procedurën e votimit vetëm nëse u kërkohet nga zgjedhësi

Anëtarët e KVV-së kujdesen veçanërisht për të siguruar që zgjedhësi nuk shqetësohet nga askush përderisa shënjon fletën e tij të votimit, dhe se fshehtësia e votimit është plotësisht e siguruar.

Sa i përket orarit të votimit, kjo është e rregulluar me nenin 88.

Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Në këtë theksohet qartë se askush nuk mund të votojë pas kohës së mbylljes së qendrave të votimit, përveç votuesve të cilët presin në radhë në VV në kohën e mbylljes.

Shpërndaje në: