Klinika e Kardiologjisë reagon pas lajmeve për listat e pritjeve për stenta, e konfirmon numrin, por thotë se pati rënie

Klinika e Kardiologjisë reagon pas lajmeve për listat e pritjeve për stenta, e konfirmon numrin, por thotë se pati rënie

Klinika e Kardiologjisë e Qendrës Klinike Universitare ka dalë me një reagim pas raportimeve se janë rreth 2 mijë pacientë në pritje për koronarografi dhe vendosjen e stentave.

Klinika e konfirmon këtë numër, por thotë se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet pati rënie të numrit të pritjeve.

Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se gjatë viteve të fundit janë realizuar investime në QKUK, përfshirë rinovime, shtretër të rinj dhe aparatura të avancuara, por ato duket se nuk kanë ulur ndjeshëm listat e pritjes.

Problemet thuhet se nuk burojnë vetëm nga mungesa e resurseve, por kryesisht nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese, raportoi REL.

Pas këtij raportimi, Klinika u nxitua të dilte me një deklaratë me qëllimin që “të sqarojë disa çështje thelbësore për një kuptim të drejtë dhe të plotë të kësaj teme”.

“Si rezultat i angazhimit të shtuar profesional dhe organizativ, vëllimi i punës në Klinikën e Kardiologjisë është rritur ndjeshëm. Aktualisht realizohen rreth 18 procedura në ditë, me synimin e drejtpërdrejtë për të ulur numrin e pacientëve në listat e pritjes. Theksojmë se para përfshirjes së çdo pacienti në listën e pritjes, dokumentacioni mjekësor shqyrtohet nga një komision profesional, i përbërë nga mjekë dhe infermierë. Ky komision vlerëson urgjencën, gjendjen klinike dhe nevojën për ekzaminime shtesë, duke garantuar që procedurat të kryhen sipas përparësive mjekësore dhe jo sipas renditjes. Rastet urgjente nuk i nënshtrohen listës së pritjes dhe trajtohen menjëherë”.

Në këtë deklaratë thuhet se në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të profilit invaziv, të kualifikuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, vendosjen e stentave dhe kryerjen e ndërhyrjeve të tjera të avancuara.

“Stafi mjekësor është i përkushtuar maksimalisht në rritjen e volumit të punës, pa dëmtuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Bazuar në raportin e Klinikës së Kardiologjisë për vitin 2025, i cili përfshinë vetëm nëntë muaj pune, është arritur pothuajse niveli i vitit 2024 për sa i përket koronarografive, si dhe një volum shumë i lartë i vendosjes së stentave. Këto të dhëna dëshmojnë rritjen e intensitetit mujor të punës, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe një projeksion të qartë për tejkalimin e rezultateve vjetore deri në fund të vitit. Përkundër faktit se gjatë vitit të kaluar në listën e pritjes ishin 4,560 pacientë, aktualisht ky numër është ulur në rreth 2,000, çka dëshmon një rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve në listën e pritjes”.

Reagimi i plotë:

Rreth 2 mijë pacientë në pritje për koronarografi dhe vendosjen e stentave në QKUK

Shpërndaje në: