“Nuk do të përsëritet asnjë veprim më”, bëhet pishman para Gjykatës militanti i Kurtit që kërcënoi Klan Kosovën

“Nuk do të përsëritet asnjë veprim më”, bëhet pishman para Gjykatës militanti i Kurtit që kërcënoi Klan Kosovën

Valton Hasani, militanti i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar për kanosje ndaj stafit të mediumit Klan Kosova, ka kërkuar falje në seancën dëgjimore të mbajtur ndaj tij.

Ai ka kërkuar po ashtu që të mos i caktohet masa e sigurisë me paraburgim, pasi është kryefamiljar.

Mes tjerash, Hasani thotë se nuk do e përsërisë asnjëherë më këtë veprim.

“I pandehuri Valton Hasani në seancën dëgjimore të mbajtur, ka theksuar se “E mbështes deklarimin e avokatit, dua të shtoj se jam 24/7 i gatshëm për të u paraqitur në organet e rendit siç jam paraqitur për herë të parë në ora 16:30 pasi që jam kthyer nga Italia dhe po e pranoj sa kam sha e kam fyer, por kur e kam parë lajmin që më kanë quajtur sekser edhe në afekt kam sharë e kam fyer, mirëpo asnjëherë s’kam kërcënuar askënd. Kërkoj falje të dëmtuarit Adriatik Kelmendit dhe mediumin në të cilin ai punon, Klan Kosova, të cilët i kam bërë tag në statusin tim dhe nuk do të përsëritet asnjë veprim më. I propozoj gjykatës që të më lirojë se jam kryefamiljar dhe të mos më caktojë masën e paraburgimit dhe më punën time mbaj familjen dhe çdo herë që më thirrni jam i gatshëm të përgjigjem”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore mbi çështjen e caktimit të masës së sigurisë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë për paraburgim me arsyetimin se është e pabazuar.

Ndërkohë, vet Hasani kishte njoftuar për lirimin e tij, dy ditë pas ndalimit të tij për 48 orë.

“Ju Pershendet Militaniti i Sapo Liruar e Kismet me 28 +50% Respekt e VVazhdojme..”, ka shkruar ai.

Hasani prej kohësh ka bërë postime të ndryshme në faqen e tij në Facebook, përmes të cilave ka ushtruar mashtrim dhe kërcënime.

Megjithatë, Valton Hasani, i cili në profilin e tij shfaqet si admirues dhe i fiksuar pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur termin “Klan Serbia” në disa mesazhe që dukeshin të drejtuara ndaj udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i referohet si “babë”.

Mesazhet e Hasanit pasuan një lajm të publikuar nga Klan Kosova tre ditë më parë, ku televizioni raportoi për dallaveret në konkursin e “Ibër-Lepencit”, duke iu referuar si sekserë Dejona Mihalit dhe ministres në detyrë, Artane Rizvanolli.

Valton Hasani u arrestua për veprën penale të kanosjes më 20 dhjetor të këtij viti.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është arrestuar një person për një kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’, në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Shpërndaje në: