Reuters: Kosova në zgjedhje pas bllokadës njëvjeçare, standardi i jetesës, shqetësim kryesor për votuesit

Reuters: Kosova në zgjedhje pas bllokadës njëvjeçare, standardi i jetesës, shqetësim kryesor për votuesit

Kosova shkoi në zgjedhje të dielën, me partinë e kryeministrit nacionalist Albin Kurti që synon të sigurojë shumicën për t’i dhënë fund një ngërçi politik njëvjeçar, i cili ka paralizuar parlamentin dhe ka vonuar financimet ndërkombëtare për shtetin më të ri të Europës, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Votimi është i dyti këtë vit në Kosovë, pasi partia e Kurtit, Vetëvendosje, nuk arriti shumicën në shkurt.

Muaj të tërë bisedimesh të dështuara për koalicion e shtynë presidenten Vjosa Osmani ta shpërndajë parlamentin në nëntor dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Dështimi për ta formuar qeverinë dhe për ta rihapur parlamentin do ta zgjaste krizën në një moment kritik. Ligjvënësit duhet të zgjedhin një president të ri në prill dhe të ratifikojnë marrëveshje huaje në vlerë 1 miliard euro nga Bashkimi Europian dhe Banka Botërore, të cilat skadojnë në muajt e ardhshëm.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00, ndërsa rezultatet e para zyrtare priten menjëherë pas përfundimit të votimit.

Partitë opozitare të vendit ballkanik kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar menaxhimin e tij të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe qasjen e tij ndaj veriut të Kosovës të ndarë etnikisht, ku jeton një pakicë serbe. Kurti e fajëson opozitën për ngërçin.

Në përpjekje për t’i joshur votuesit, Kurti ka premtuar një muaj shtesë page në vit për punonjësit e sektorit publik, 1 miliard euro në vit investime kapitale dhe një njësi të re prokuroriale për ta luftuar krimin e organizuar. Partitë opozitare janë fokusuar gjithashtu në përmirësimin e standardit të jetesës – një shqetësim kryesor për votuesit.

“Ne duam që qeveria e ardhshme të krijojë kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe të mos largohen”, i tha Reuters-it në kryeqytet, Prishtinë, një votues, Rexhep Karakashi, 58 vjeç.

Sondazhet e opinionit nuk publikohen në Kosovë, duke mos dhënë asnjë tregues për rezultatin e mundshëm, dhe disa votues thanë se nuk prisnin që votimi të sillte ndryshime të rëndësishme.

“Nuk do të kishte gëzim të madh nëse fiton Kurti, as nuk do të kishte nëse fiton opozita. Ky vend ka nevojë për ndryshime drastike dhe unë nuk e shoh që ky ndryshim po vjen”, tha Edi Krasiqi, mjek.

KURTI U BËN THIRRJE QYTETARËVE TË VOTOJNË

Pasi hodhi votën e tij në një qendër votimi në Prishtinë, Kurti u bëri thirrje njerëzve të votojnë, duke thënë se një pjesëmarrje më e lartë do ta forconte legjitimitetin e parlamentit.

“Sapo të dihet rezultati i zgjedhjeve, ne do të bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi për ta konstituuar parlamentin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të vazhduar me një qeveri të re”, tha ai.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e SHBA-së, përfshirë një fushatë bombardimesh të NATO-s në vitin 1999 kundër forcave serbe që po përpiqeshin ta shtypnin një kryengritje nga shumica etnike shqiptare prej 90%.

Pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare, vendi me 1.6 milionë banorë është përballur me varfëri, paqëndrueshmëri dhe krim të organizuar. Mandati i Kurtit, i cili filloi në vitin 2021, ishte hera e parë që një qeveri e Prishtinës përfundoi një mandat të plotë.

Tensionet me Serbinë u përshkallëzuan në vitin 2023, duke e shtyrë BE-në të vendosë sanksione ndaj Kosovës. Blloku tha këtë muaj se do t’i heqë ato pasi kryetarë serbë u zgjodhën në komunat veriore, por masat ka gjasa t’i kenë kushtuar Kosovës qindra miliona euro.

Shpërndaje në: