Planifikoi, urdhëroi dhe ndihmoi fshehjen e krimeve të luftës – Prokuroria e BeH ngre aktakuzë ndaj serbit Radislav Krstiq
Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër Radislav Krstiq, shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë, për krime lufte të kryera në fshatin Novoseoci, pranë Sokolacit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së BeH, Krstiq aktualisht është duke vuajtur një dënim me burg të shqiptuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale gjatë luftës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të Mbrojtjes Territoriale, Ushtrisë së Republikës Srpska dhe policisë kundër popullsisë civile boshnjake në zonën e Sokolacit dhe rrethinës. Në atë kohë, Krstiq ishte komandant i Brigadës së 2-të të Motorizuar Romanija të Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS).
Sipas aktakuzës, më 21 dhe 22 shtator 1992, Krstiq mori pjesë në sulmin ndaj fshatit Novoseoci, i banuar kryesisht nga civilë boshnjakë. Pas sulmit, gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat, ndërsa burrat e kapur u transportuan me kamionë ushtarakë në një deponi në vendin e quajtur Ivan Polje, ku u ekzekutuan me armë zjarri.
Në këtë vend u vranë gjithsej 44 persona, ndër ta një viktimë 14-vjeçare dhe më e moshuara 77 vjeç. Trupat e 43 viktimave janë zhvarrosur dhe identifikuar, ndërsa mbetjet mortore të një viktime vazhdojnë të jenë në kërkim.
Aktakuza thekson gjithashtu se gjatë kryerjes së krimit janë plaçkitur dhe shkatërruar prona civile, ndërsa xhamia e fshatit Novoseoci është shembur dhe mbetjet e saj janë hedhur mbi trupat e viktimave në deponinë e Ivan Poljes.
Krstiq akuzohet se ka planifikuar, urdhëruar, kryer, nxitur dhe ndihmuar në planifikimin, përgatitjen, ekzekutimin dhe fshehjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile të Novoseocit, çka sipas Prokurorisë përbën vepër penale të krimeve kundër njerëzimit.
Përkujtojmë se Radislav Krstiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua në vitin 2004 nga ICTY me 35 vjet burg për ndihmë dhe inkurajim të gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë. Gjatë procedurave të mëparshme gjyqësore, ai kishte kërkuar lirim të parakohshëm, duke pranuar se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.
Krstiq fillimisht e vuajti dënimin në Mbretërinë e Bashkuar, por pas një sulmi nga një i burgosur tjetër, në vitin 2014 u transferua në Poloni. Që nga prilli i këtij viti, ai po e vuan pjesën e mbetur të dënimit në Estoni.



