3 policë të vrarë në operacionin anti-ISIS në Turqi, plagosen 9 të tjerë
Tre oficerë të policisë turke mbetën të vrarë dhe 9 të tjerë të plagosur në një shkëmbim zjarri me persona të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik, gjatë një operacioni të zhvilluar të hënën në provincën Jalova.
Të shtënat ndodhën në orët e para të mëngjesit, kur forcat e policisë bastisën një shtëpi në fshatin Elmalik, rreth 9 kilometra nga qendra e qytetit të Jalovës, në veri-perëndim të vendit.
Të dyshuarit hapën zjarr kur panë oficerët që po afroheshin, duke i detyruar ata të reagonin. Nga të shtënat gjetën vdekjen 6 anëtarë të ISIS.
Ndërkohë, të gjithë oficerët e plagosur u dërguan në një spital të afërt dhe sipas autoriteteve lokale, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Njësi të tjera speciale nga provinca fqinje e Bursës u angazhuan për të mbështetur operacionin, i cili vazhdoi me efektivët që rrethuan të gjithë vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, për motive sigurie, në fshat u ndalua procesi shkollor dhe u bllokuan rrugët që të çonin tek banesa ku strehoheshin terroristët.
Ende nuk është e qartë nëse ndonjë nga të dyshuarit u arrestua, apo u vranë të gjithë. Kjo, psai autoritetet vendosën një ndalim transmetimi mbi ngjarjen, duke lejuar mediat të përcillnin vetëm të dhëna zyrtare.
Operacioni vjen teksa autoritetet turke kanë intensifikuar presionin ndaj terrorizmit në prag të natës së Vitit të Ri, kur flitet se mund të ketë sulme ndaj popullsisë civile./Periskopi/



