Bazuar në rreth 50-përqindëshin e votave të numëruara, në Kuvend do të hyjnë 41 deputetë të LVV-së të legjislaturës së kaluar.
Në PDK, që ka siguruar 23 ulëse në Kuvend, më së shumti vota ka marrë kandidati për kryeministër Bedri Hamza, i pasuar nga ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, me mbi 35 mijë vota.
Sipas këtyre rezultateve, 15 deputetë të PDK-së kanë qenë pjesë e Kuvendit edhe në legjislaturën e kaluar, e 8 nga ajo legjislaturë kanë mbetur jashtë. Mandat të ri nuk pritet të sigurojnë edhe Abelard Tahiri e Rashit Qalaj.
Nëse renditja nuk ndryshon, sipas kuotës gjinore, Blerta Deliu, e Arbnore Salihu do të sigurojnë ulëse, e atë do ta humbin Isak Neziri e Altin Krasniqi.
Në mesin e deputetëve të PDK-së, ulëse ka siguruar edhe Eman Rrahmani që iu bashkua këtij subjekti me Listën për Familje. Ai është i 11-ti me radhë për nga votat.
Lidhja Demokratike në këto zgjedhje ka siguruar 15 ulëse në Kuvend.
Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka fituar mbi 39 mijë, i pasuar nga Hykmete Bajrami me rreth 15 mijë më pak.
Në legjislaturën e re, LDK do të vazhdojë të ketë 11 deputetët e kaluar e 4 të rinj, në mesin e tyre edhe Ukë Rugova, si personi i tretë më i votuar brenda listës së partisë.
Nga të dhënat aktuale, janë 8 deputetë të legjislaturës së kaluar që kanë mbetur jashtë Kuvendit, në mesin e tyre edhe Arben Gashi.
Kuota gjinore në LDK nuk do ta ndryshojë listën e fituesve pasi gratë e kësaj partie kanë fituar 5 mandate, aq sa u takojnë edhe me kuotë.
Në AAK ulëset i kanë siguruar Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Agim Çeku e Time Kadrijaj.
Nëse renditja mbetet e njëjtë edhe pas numërimit të 100 për qind të votave, AAK duhet ta plotësojë kuotën gjinore për të siguruar dy ulëse për gratë.
Kësisoj, Agim Çeku do të mbetet pa mandat deputeti, për t’ia lënë vendin Albana Bytyqit.
Nga legjislatura e kaluar, AAK-së jashtë i ka mbetur vetëm Lahi Brahimaj.
Edhe në këto zgjedhje parlamentare, gruaja më e votuar deri tani është Albulena Haxhiu me mbi 74 mijë vota.