Begaj uron shqiptarët për ndërrimin e moteve: Të kthejmë standardin evropian në realitet
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar sot shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve, duke shprehur shpresën që viti 2026 të jetë një vit i përpjekjeve të përbashkëta për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.
Në mesazhin e tij, Begaj theksoi se nata e ndërrimit të viteve është koha për reflektim, për të parë çfarë lamë pas dhe për të vendosur shpresat dhe qëllimet për vitin e ri.
“Ky është mbi të gjitha një moment i familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri shoqërisë tonë. Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gurthemeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë”, tha Begaj.
Presidenti theksoi se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme e shqiptarëve janë forca më e madhe e vendit. Ai nënvizoi se pas çdo suksesi fshihet puna dhe sakrificat familjare, dhe se e ardhmja ndërtohet me angazhim të përditshëm, jo me fjalë të mëdha.
Viti 2025, sipas Begajt, ishte një vit sfidash dhe përpjekjesh, ku Shqipëria dëshmoi vullnetin për të ecur përpara, duke shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
“Viti 2026 duhet të jetë një vit i përpjekjes së përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare. Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë,” tha ai.
Begaj uroi shqiptarët kudo që ndodhen, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe diasporën, duke theksuar se ata janë pjesë e pandarë e kombit dhe energji vitale për të ardhmen e përbashkët.
Një urim i veçantë u drejtua edhe për mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët që janë larg familjeve të tyre, si dhe për ata që e kalojnë natën në spitale apo në kushte të vështira.
Më tej, Begaj uroi që viti 2026 të sjellë më shumë besim, mirëkuptim dhe bashkëpunim mes shqiptarëve, duke përmbyllur mesazhin me fjalët:
“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht! Me besim te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!”



