Shqipëri: Arrestohet i kërkuari ndërkombëtarisht për 71 vjedhje në Itali

Shqipëri: Arrestohet i kërkuari ndërkombëtarisht për 71 vjedhje në Itali

Policia e Mirditës ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Shtetasi i arrestuar është 35-vjeçari, Martin Zheri, i cili u kap në qytetin e Rrëshenit teksa lëvizte si pasagjer në një automjet. Ai u ndalua dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin në Itali.

Zheri është i akuzuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në një grup kriminal që ka kryer 71 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh me armë gjatë vitit 2023 në banesa në katër rajone të Italisë.

Gjykata e Milanos në vitin 2024 i caktoi Martin Zherit masën e sigurisë “Arrest në burg” për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim prone, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu, policia ka proceduar penalisht shtetasin G.N., 37 vjeç, i cili drejtonte automjetin me të cilin lëvizte Zheri, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët e saj për finalizimin e procedurës së ekstradimit të Martin Zherit drejt Italisë.

 

 

Shpërndaje në: